E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Berisha hap derën për Shehajn, Qorin dhe Lapajn: Hajdeni të largojmë Ramën
Lajme

Berisha hap derën për Shehajn, Qorin dhe Lapajn: Hajdeni të largojmë Ramën

Sali Berisha ka bërë një tjetër thirrje publike për bashkimin e forcave opozitare, duke u drejtuar këtë herë edhe drejt drejtuesve të disa prej partive të reja politike. Në fokus të ftesës së tij janë Agron Shehaj, Arlind Qori dhe Adriatik Lapaj, me të cilët kërkon të krijojë një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës.

I ftuar në emisionin “Now”, kreu i Partisë Demokratike deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë pa vendosur kushte paraprake apo paragjykime politike, për sa kohë objektivi i përbashkët mbetet largimi i kryeministrit nga pushteti.

Berisha përmendi konkretisht Agron Shehajn, drejtuesin e partisë “Mundësia”, Arlind Qorin e “Lëvizja Bashkë” dhe Adriatik Lapajn e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, duke u bërë thirrje për të lënë mënjanë ndasitë dhe për të bashkuar përpjekjet politike.

“Unë shfrytëzoj sërish rastin dhe i ftoj që të bashkohemi. Bashkohem që nesër! Me cilindo që bashkohet, që të largojmë Ramën nga pushteti. Me cilindo njeri. Ne nuk ftojmë me paragjykime. Me të gjithë takohem, nuk kam asnjë lloj paragjykimi. Se çfarë më quajnë, rëndësi ka të largojmë të keqen më të madhe”, u shpreh Berisha.

Kjo ftesë vjen në një moment kur protestat kundër qeverisë vijojnë dhe diskutimi për bashkërendimin e forcave opozitare është rikthyer në qendër të debatit politik.

Mbetet për t’u parë nëse Shehaj, Qori dhe Lapaj do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj thirrjeje dhe nëse deklarata e Berishës do të shndërrohet në një nismë konkrete për bashkëpunim mes opozitës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.