Irani i vendos SHBA-së shtatë kushte për negociata, refuzon bisedimet pa u plotësuar ato

Irani i ka përcjellë Shteteve të Bashkuara, përmes Katarit, një propozim lidhur me programin e tij bërthamor, por ka bërë të qartë se është i gatshëm të diskutojë për këtë çështje vetëm pasi Uashingtoni t'i plotësojë shtatë kërkesat e Teheranit.
Këtë e ka bërë të ditur një zyrtar i lartë iranian për agjencinë Reuters, duke shtuar se administrata amerikane është duke e shqyrtuar propozimin. Megjithatë, ai nuk dha detaje të tjera rreth përmbajtjes së dokumentit.
Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, u pyet nëse e kishte parë propozimin iranian. Ai u përgjigj se Irani “nuk bën asgjë pa miratim” dhe se, çfarëdo që të jetë duke shqyrtuar Uashingtoni, Irani nuk do të ketë armë bërthamore.
Ndërkohë, zyrtari më i lartë iranian për sigurinë, Mohsen Rezaei, gjatë një vizite në Rusi, konfirmoi se Teherani i ka paraqitur Uashingtonit shtatë kushte, shkruan reuters.
“Sa i përket diplomacisë, amerikanëve ua kemi bërë të ditura shtatë kushtet tona. Derisa ato të plotësohen, nuk do ta hapim Ngushticën e Hormuzit dhe as nuk do të negociojmë”, deklaroi Rezaei.
Ndër kërkesat e Iranit janë heqja e sanksioneve amerikane, lirimi i aseteve iraniane të ngrira dhe pagesa e dëmshpërblimeve të luftës.
Nga ana tjetër, Uashingtoni insiston që çështjet bërthamore të jenë pjesë e të gjitha negociatave fillestare.
Ndërmjetësuesit kanë intensifikuar përpjekjet për t'i dhënë fund luftës mes Iranit dhe SHBA-së, nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet sërish pas zgjedhjeve për Kongresin amerikan.
Trumpi nuk e përjashtoi mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake pas zgjedhjeve, ndërsa Irani ka paralajmëruar kundërpërgjigje më të gjerë nëse lufta vazhdon. /Telegrafi/









































