Shtëpia e Bardhë ka mohuar zërat për largimin e mundshëm të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA.
Mediat amerikane kanë raportuar se brenda administratës Trump po shtohen thirrjet për ndryshime në kabinet, ndërsa dy zyrtarët e lartë janë përfshirë në diskutimet për përgjegjësinë e humbjes së thellë elektorale të republikanëve.
Presioni më i madh duket se është përqendruar te Hegseth, për shkak të mënyrës sesi ka menaxhuar luftën me Iranin, e cila është cilësuar si një nga faktorët që ndikuan në rezultatin e dobët të republikanëve. Vetë presidenti Donald Trump ka pranuar se ka marrë telefonata lidhur me të ardhmen e Sekretarit të Mbrojtjes, por ka deklaruar se synon ta mbajë në detyrë. Të enjten, ai e vlerësoi publikisht punën e Hegseth, duke thënë se ka bërë një punë fantastike.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes po përballet edhe me një përpjekje për shkarkimin e tij përmes një procedure fajësimi. Kongresmeni republikan Thomas Massie ka paralajmëruar se do të paraqesë një rezolutë për shkarkimin e Hegseth që në fillim të javës së ardhshme. Ai ka argumentuar se Trump duhet ta zëvendësojë atë përpara se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar. Hegseth i ka cilësuar përpjekjet si sulme politike dhe ka mbrojtur punën e tij në krye të Pentagonit.
Ndryshe paraqitet situata për Marco Rubion, i cili ka mohuar zërat se po mendon të largohet nga posti për t’u përgatitur për një kandidim të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Në një intervistë për NYT, ai tha se plani i tij ka qenë gjithmonë të punojë për Trump deri në përfundim të mandatit presidencial.
Edhe Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i kanë cilësuar raportimet për largimin e tij si lajme të pavërteta. Megjithatë, e ardhmja politike e Hegseth mbetet më e pasigurt, ndërsa humbja e republikanëve, që u dha demokratëve kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, ka shtuar presionin mbi administratën Trump.











