Periudha e Liam Rosenior te Chelsea rezultoi të ishte një kapitull relativisht i shkurtër dhe, në fund, zhgënjyes në karrierën e tij si trajner. Ai u emërua në janar të këtij viti me një kontratë pesëvjeçare e gjysmë, në vend të Enzo Maresca.
Megjithatë, 42-vjeçari qëndroi pak më shumë se tre muaj para se të shkarkohej më 22 prill, pasi kishte drejtuar skuadrën në 23 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Rosenior ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si është trajtuar, veçanërisht në rrjetet sociale.
Trajneri aktual i Paris FC u shpreh: “Ishte përvoja më e mirë e jetës sime, por edhe më e vështira. Në një vend ku toleranca është një vlerë e rëndësishme, ajo që ndodhi atje nuk ka asnjë lidhje me futbollin”.
“Momenti që më shqetësoi më shumë ishte në fillim, kur arritëm një seri prej pesë fitoresh radhazi. Kur merr rezultate të mira, je në qendër të vëmendjes. Më pas, në media u krijua një lloj efekti ‘top bore’”, tha Rosenior.
“Ata u tallën me udhëzimet që i dhashë Garnacho në një copë letër, ndërsa ne luanim me 10 lojtarë kundër PSG. Rrobat që vishja u bënë objekt talljeje, po ashtu edhe mënyra se si flisja. Unë nuk jam objekt talljeje!“, shtoi trajneri Rosenior.
Bilanci i tij përfundimtar me “blues” ishte 11 fitore, 2 barazime dhe 10 humbje. Sa u përket rezultateve në kampionat, Chelsea humbi pesë ndeshje radhazi pa shënuar asnjë gol. Kjo ishte e ecuria më e dobët në historinë e klubit.







