Kriza e bankës digjitale fundos presidentin e Paraguait, Santiago Peña jep dorëheqjen mes protestave dhe hetimeve

Amerikë | 12 minuta më parë

Presidenti i Paraguait, Santiago Peña, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra, pas një krize të rëndë financiare dhe politike të shkaktuar nga kolapsi i bankës private Ueno, e cila kishte lidhje të mëparshme biznesi me kreun e shtetit.

Vendimi erdhi pas disa ditësh protestash masive në kryeqytetin Asunción, ku mijëra qytetarë kërkuan largimin e presidentit dhe kthimin e kursimeve të tyre. Kriza shpërtheu pasi Banka Qendrore ndërhyri në Ueno Bank për shkak të problemeve të rënda të aftësisë paguese, duke bllokuar aksesin në llogaritë e rreth 3 milionë klientëve.

Megjithatë, dorëheqja e Peña-s nuk e mbylli krizën politike. Dhoma e Deputetëve votoi për nisjen e procedurave të shkarkimit të tij, ndërsa refuzoi dorëheqjen, me qëllim që presidenti të mos përfitonte nga imuniteti që do t’i siguronte pozita e senatorit të përjetshëm pas largimit nga detyra. Çështja tashmë i kalon Senatit.

Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Peña deklaroi se kishte marrë vendimin për t’u larguar nga posti duke vënë në plan të parë stabilitetin e vendit.

“Kam marrë vendimin të paraqes dorëheqjen time nga posti i Presidentit të Republikës. E bëj këtë duke menduar për stabilitetin e vendit tonë, paqen sociale dhe nevojën për të ruajtur institucionet tona demokratike”, deklaroi ai.

Presidenti kërkoi gjithashtu falje ndaj qytetarëve, duke thënë se nuk kishte pasur kurrë qëllim të tradhtonte besimin e tyre. Ai theksoi se përparësia e tij ishte garantimi i kthimit të parave për qytetarët që kishin depozituar kursimet në sistemin bankar.

Në qendër të skandalit është Ueno Bank, një institucion financiar dixhital që brenda pak vitesh u shndërrua në një prej bankave më të mëdha të vendit, duke pretenduar se kishte si klientë më shumë se 60% të popullsisë së rritur të Paraguait.

Banka u vu nën administrimin e Bankës Qendrore pasi kontrollet zbuluan probleme serioze në kreditimin e kompanive të lidhura me pronarët e saj, përfshirë kredi të dokumentuara në mënyrë të parregullt dhe shpenzime të regjistruara gabimisht si aktive. Pas korrigjimit të bilanceve, kapitali i bankës rezultoi më pak se gjysma e minimumit ligjor të kërkuar.

Skandali mori përmasa edhe më të mëdha për shkak të lidhjeve të mëparshme të Peña-s me grupin që zotëronte bankën. Kreu i shtetit kishte qenë aksioner në kompaninë mëmë të Ueno-s deri në mars të vitit 2025, ndërsa gjatë qeverisjes së tij institucioni kishte marrë në administrim rreth 800-850 milionë dollarë fonde publike, përfshirë para nga fondet e pensioneve dhe institucione të tjera shtetërore.

Opozita e akuzoi presidentin për konflikt interesi, keqpërdorim të fondeve publike dhe favorizim të bankës. Peña i ka mohuar shkeljet dhe ka deklaruar se çështja duhet të zgjidhet nga drejtësia.

Ndërkohë, hetimet kanë çuar në ndalimin e tetë drejtuesve të lartë të bankës, mes tyre themeluesi Miguel Vázquez dhe presidenti i saj Juan Manuel Gustale. Prokuroria ka ngritur gjithashtu akuza ndaj 27 drejtuesve të bankës dhe personave të lidhur me bizneset e saj, për vepra që përfshijnë shpërdorimin e besimit dhe tentativën për mashtrim.

Protestat në Asunción janë shoqëruar me përplasje me policinë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmat. Qytetarët kanë kërkuar jo vetëm kthimin e kursimeve, por edhe përgjegjësi politike për krizën. Situata është rënduar edhe nga fakti se shumë pensionistë dhe familje kanë mbetur pa akses në paratë që përdorin për shpenzimet e përditshme.

Rënia e Peña-s u përshpejtua edhe nga humbja e mbështetjes brenda Partisë Kolorado, forcës konservatore që ka dominuar politikën e Paraguait prej dekadash. Ish-presidenti Horacio Cartes, një prej figurave më të fuqishme të partisë dhe ish-aleat i Peña-s, u pozicionua në mbështetje të shkarkimit të tij.

Nëse dorëheqja do të pranohet dhe procesi institucional do të përfundojë, postin e presidentit pritet ta marrë zëvendëspresidenti Pedro Alliana, i cili duhet të përfundojë mandatin deri në gusht të vitit 2028.

Kriza e Ueno Bank ka tronditur jo vetëm qeverinë, por edhe besimin te sistemi financiar i Paraguait, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një institucion me lidhje të afërta me pushtetin arriti të zgjerohej kaq shpejt dhe të administronte shuma të mëdha parash publike, pavarësisht paralajmërimeve për praktikat e tij të kreditimit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme