E ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Bianka Çopja, kryekëshilltare bashkiake e opozitës në Bashkinë Elbasan, ka denoncuar mungesën e mjeteve dhe kushteve për shërbimin zjarrfikës në qytet.
Çopja deklaroi se fondet e Emergjencave Civile janë përdorur për rikonstruksionin e godinës së zjarrfikësve, ndërkohë që në përballimin e tragjedisë së fundit u vu re mungesa e mjeteve të nevojshme.
Sipas saj, shkallët që u përdorën për nxjerrjen e banorëve nga pallati erdhën nga Tirana dhe nuk i përkisnin shërbimit zjarrfikës të Elbasanit.
Ajo kërkoi ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, duke theksuar se investimet duhet të përqendrohen te pajisjet dhe mjetet e emergjencës, pasi qytetarët nuk mund të lihen në mëshirë të fatit në raste të tilla.
Pjesë nga intervista:
Realisht, është një tragjedi, sepse pamjet filmike realisht nuk ta japin ndjesinë e vërtetë që përjeton kur je në vendngjarje, kur takon ata banorë që janë të shkatërruar, në gjendje shoku, të frikësuar dhe, mbi të gjitha, nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me ta. Është shumë e ndjeshme.
Kjo realisht është një tragjedi që nuk mund të parashikohet në asnjë moment. Patjetër, por fakti që shpërthimi erdhi nga një bombol gazi 15-litërshe tregon që ne jemi në një moment totalisht të pasigurt: të pasigurt nga mjetet që përdorim, të pasigurt në banesat tona, sepse, po të vini re, aty ka pasur problematika me zjarrfikëset dhe me mënyrën se si mund të futeshin, si të reagonin, pasi zona rreth pallatit është e gjitha e bllokuar me shtesa, të cilat janë ndërtuar pa kriter. Dhe kjo nuk ndodh vetëm në atë pallat, por në shumicën e pallateve në qytet.
Duhet të na bëjë që t'u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të ndërhyjnë, sepse nuk mund të bëhet një tragjedi pjesë e përditshmërisë sonë, pa u munduar të shikojmë se çfarë po na ndodh realisht.
Nuk ka mundësi që zjarrfikësja të hyjë dhe të shpëtojë këta banorë në një tragjedi të tillë, por realisht ata kanë ardhur menjëherë dhe kanë mundur të bëjnë procedurat e tyre.
Ne kemi parë fonde emergjence që përdoren për godinat e zjarrfikëseve, por ne nuk kemi zjarrfikëset e duhura. Jo më larg se mbledhja e shtatorit, janë përdorur fondet e Emergjencave Civile të Elbasanit për të rikonstruktuar një godinë të zjarrfikësve. E ndërkohë, jemi në këtë situatë, ku realisht fondi përdoret për nevoja jo të nevojshme dhe, në tragjedi të tilla, këta banorë janë në qiell të hapur.
Zjarrfikësit janë munduar dhe realisht janë punëtorë, por nuk kanë kushte. Investimi duhet bërë në mjete. Këto zjarrfikëse duhet të kenë mjetet e duhura për të ndërhyrë në çështje dhe tragjedi të tilla. Nuk mund t'ia lëmë kohës dhe mëshirës së fatit.
Nuk mund të shtojmë numrin e punonjësve; ne shtojmë numrin e zjarrfikësve, por ata nuk kanë mjete. Nuk fiket zjarri me zorrë uji.
Por, ndërkohë, nga banorët që kam takuar dje, më kanë thënë që zjarrfikësja, me shkallët që ka bërë të mundur nxjerrjen e banorëve, ka ardhur nga Tirana. Nuk ka qenë e Elbasanit dhe kjo është akoma më e tmerrshme: të rrish në mëshirë të fatit në një tragjedi të tillë, për të ardhur mjete në ndihmë, kur ndërkohë ne shikojmë se kemi video pa fund të të rinjve dhe studentëve tanë që po i mbysin me ujë, dhe nuk kemi ujë për të fikur zjarrin në raste të tilla.
© SYRI.net
VIDEO/ Tare: Nuk e kam pritur, Berisha ka qenë shumë më i ndjeshëm ndaj trashëgimisë dhe zonave të mbrojtura se Rama
Protestat/ Abilekaj: Rama i vendosur ta realizojë investimin në Zvërnec, edhe nëse s’i plotëson kushtet ligjore
Berisha fton partitë për bashkim: Bashkohem që nesër me cilindo që synon largimin e Ramës