Tregjet financiare në mbarë botën janë tronditur pas rënies së fortë të aksioneve të kompanive më të mëdha të teknologjisë, duke u shkaktuar humbje prej triliona dollarësh.
Shkak për këtë reagim është bërë fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, pasi programi i tyre parashikon kufizime për zgjerimin e inteligjencës artificiale dhe ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave. Investitorët druhen se politikat e reja mund të ngadalësojnë zhvillimin e këtij sektori dhe të ulin fitimet e kompanive që kanë investuar shuma të mëdha në këtë teknologji.
Goditja më e madhe u regjistrua në bursën amerikane, ku indeksi Nasdaq, që përfshin shumë prej kompanive më të mëdha të teknologjisë, ra me mbi 5.5% brenda një dite. Sipas të dhënave të Dou Jones, kjo rënie fshiu rreth 2.5 trilionë dollarë nga vlera e kompanive në treg. Mes më të prekurve ishte gjiganti Nvidia, aksionet e të cilit ranë me mbi 9%, duke humbur më shumë se 400 miliardë dollarë në vlerë. Edhe AMD dhe Micron pësuan rënie prej mbi 17%, ndërsa aksionet e Tesla-s dhe SpaceX-it, kompanive të Elon Musk, ranë përkatësisht me afro 11% dhe 8%.
Rënia nuk u kufizua vetëm në SHBA, por u përhap edhe në Evropë dhe Azi. Në Japoni, indeksi Nikkei ra me 6.3%, ndërsa në Korenë e Jugut humbjet e kompanive të mëdha të prodhimit të çipave shkaktuan një rënie prej më shumë se 8% të indeksit Kospi në orët e para të tregtimit. Situata ishte aq e rëndë sa autoritetet aktivizuan një mekanizëm që ndalon përkohësisht tregtimin në bursë për të frenuar shitjet masive nga investitorët e shqetësuar. Edhe tregu i Tajvanit regjistroi rënien më të madhe javore që nga viti 2001.
Në thelb, shqetësimi i investitorëve lidhet me të ardhmen e inteligjencës artificiale dhe miliarda dollarët që kompanitë po shpenzojnë për zhvillimin e saj. Demokratët kanë kundërshtuar zgjerimin e pakontrolluar të qendrave të të dhënave, duke argumentuar se ato konsumojnë shumë energji, dëmtojnë mjedisin dhe mund të ndikojnë te vendet e punës.
Ata kanë kërkuar më shumë kontroll mbi këtë industri dhe pezullimin e përkohshëm të ndërtimeve të reja. Presidenti Donald Trump fajësoi demokratët për rënien e bursave, ndërsa drejtuesi i OpenAI, Greg Brockman, pranoi se kompanitë e teknologjisë ishin befasuar nga kundërshtimi i qytetarëve ndaj qendrave të të dhënave. Ai tha se industria duhet të komunikojë më shumë me komunitetet ku planifikon të ndërtojë këto struktura.










