Studiuesi dhe ish-drejtuesi i trashëgimisë kulturore, Auron Tare, ka ngritur akuza për dëmtimin e zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke përmendur rastet e Butrintit, Ksamilit dhe Manastirit.
Në një ndërhyrje nga Bostoni në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Tare kritikoi të dyja palët politike për qëndrimet ndaj zonave të mbrojtura, duke kujtuar votimin në Parlament për administrimin e Butrintit nga një fondacion i huaj dhe mungesën e reagimit politik kur 800 hektarë të zonës Ksamil-Kanali i Vivarit u hoqën nga zona e mbrojtur.
Sipas tij, ndërkohë që UNESCO prej tre vitesh kërkon përcaktimin e kufijve të rinj të Parkut Kombëtar të Butrintit, në territorin e hequr nga zona e mbrojtur kanë nisur ndërtime.
Gjatë diskutimit, gazetari Çim Peka ndërhyri për të kujtuar se edhe Sali Berisha kishte reaguar publikisht për heqjen e 800 hektarëve nga zona e mbrojtur.
Tare u përgjigj se, përkundër bindjeve të tij politike, nuk e kishte menduar se Sali Berisha do të tregonte më shumë ndjeshmëri ndaj trashëgimisë kulturore dhe zonave të mbrojtura se sa Edi Rama.
Biseda:
Auron Tare: Po, po, po. Mund të bënin diçka në krahasim spektakolar me atë që është bërë në bregdetin shqiptar. Pra, bregdeti shqiptar është sot një tmerr i vërtetë, është një varrezë betoni në 10-15 duar. Por, doja të shtoja diçka tjetër meqenëse dëgjova për këtë luftën apo përpjekjet që janë bërë për zonat e mbrojtura. Ka një gjë. Rasti i Butrintit është një nga rastet më spektakolare evropiane, ku të dyja palët politike, PS-ja dhe një pjesë e madhe e PD-së, votuan në parlament për t'ia dhënë Butrintin një fondi të huaj. Një. E dyta, kur qeveria shqiptare hoqi 800 hektarë nga zona e mbrojtur, pra zona Ksamil-Kanali i Vivarit, askush nuk foli. Jo nga PS-ja, po as nga PD-ja nuk foli njeri. Dhe sot në atë zonë ku ka tre vjet që UNESCO kërkon kufijtë e rinj të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe nuk ia jep njeri, në atë zonë, pra në 800 hektarë të cilat janë bërë zonë e mbrojtur, pasuri botërore, në kohën kur kam qenë unë në atë kohë me zotin Rama dhe me zotin Gonxhe...
Çim Peka: Të bëj një ndërhyrje zoti Tare, një ndërhyrje për korrektësi. Nuk e di nëse e keni ndjekur. Kur është hequr ky 800 hektarë, të paktën këtë e kam dëgjuar, ka dalë Sali Berisha dhe ka denoncuar duke thënë, për një rrugë që u bë për të shkuar në Butrint, në atë kohë Banka Botërore apo kush ishte, bëri reagim të ashpër. Ndërsa sot po i vidhen 800 hektarë atij thelbi, ka reaguar të paktën Berisha po.
Auron Tare: Po të ndërhyj pak, deputetja Ina Zhupa e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese Butrintin. Me të ndjerin zotin Sokol Olldashi i cili e ka ndërprerë, e ka ndërprerë rrugën tetë muaj dhe pastaj u vazhdua, është shumë e vërtetë. Por ajo që do të thosha është kjo: që këto 800 hektarë sot, po ndërtohen! Pra janë dy kompani atje që po ndërtojnë dhe një pjesë të mirë e kanë rrethuar me gardh, me tela, me roje. Nuk lë më njeri të shkosh, nuk shkohet as te laguna që është shpallur zonë Ramsar. Për mos folur pastaj për çështjen e Manastirit. Çështja e Manastirit, zoti Fevziu, është shumë interesante. Kishim në parlament Ministren e Turizmit në atë kohë, me zë e figurë, që tha: ‘Do ia heqim këtë pikën e vogël nga Parku i Butrintit’. Apo jo? Dhe çfarë ndodhi? Në një shkrim që ka financuar BE-ja vjet, në mos gaboj, e bërë nga kjo media Amfora, dolën me dokumenta që i gjithë zinxhiri i trashëgimisë kulturore, ministrja, drejtoresha e Institutit të Monumenteve dhe drejtorja e Dekanatit të Arkeologjisë në universitetin publik, kanë falsifikuar dokumentet e zonës për t'i hapur rrugë ndërtimit te Manastiri. Janë aty, janë me emra. Edhe dokumentat e të gjitha. Dhe të dyja krahët nuk flet njeri. Ndërkohë ashtu siç kanë ndodhur gjëra të tjera dhe do t'ju lë pastaj radhën...
Çim Peka: Tani vetëm se një gjë prapë te Manastiri. Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike ka kërkuar... e ka çuar dhe në Kushtetuese, ndërkohë që flasim...
Auron Tare: E di shumë mirë, e di shumë mirë sepse unë me zonjën Zhupa kam folur shpeshherë për këtë çështje. Nuk po flas për zonjën Zhupa këtu. Po flas në kuptimin politik. Dhe çështja e ndryshimit të ligjit të zonave të mbrojtura, i cili është ligj që i hap rrugë ndërtimeve brenda zonave të mbrojtura, është bërë nga tetë deputetë, të cilët besoj sot nuk i njeh njeri, por një nga autoret që e ka mbrojtur këtë në publik është zonja që është sot Ministre e Shëndetësisë. Apo jo? Nuk flet njeri. Pra të gjitha këto të zonave të mbrojtura, u bënë gati 5-6 muaj që njerëzit po protestojnë, shtypi flet, shkruajnë e të tjera, s'ka ndodhur asgjë. As nuk është bërë anulimi i këtij ligji, as ligji i trashëgimisë kulturore i bërë në kohën e zonjës Kumbaro, që i hap rrugë fondeve të huaja të administrojnë pasuritë tona kombëtare, dhe ligji i investimeve strategjike. S'ka ndryshuar asnjë gjë.
Çim Peka: Zoti Tare, meqenëse po na ndiqni, të falënderoj nga Bostoni. Të kërkova të ndërhysh, të bëj dhe një pyetje personale...
Auron Tare: Patjetër.
Çim Peka: Zoti Tare, meqenëse po na ndiqet, të falënderoj nga Bostoni. Të bëj dhe një pyetje personale. Jeni një prej zërave më të fuqishëm për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Keni qenë dikur dhe mbështetës i opozitës, sot qeverisë. A e keni pritur këtë gjë nga Edi Rama?
Auron Tare: Shiko, unë ju thashë, isha një ditë në një emision... dhe pak me humor dhe pak me të vërtetë, kemi qenë një grup njerëzish po ne që kemi qenë në atë kohë forumi i trashëgimisë, unë, Artan Shkreli, i cili na ka ikur tashmë, po dhe të tjerë. Dhe këtë po thonim, nuk e prisnim kurrë... për hir të vërtetës, dhe e kam thënë publikisht dhe e them prapë, që nuk e prisnim kurrë që Sali Berisha, të cilin unë as e kam votuar dhe as mund ta votoj, po paska qenë shumë më i ndjeshëm ndaj trashëgimisë dhe zonave të mbrojtura. Kjo është e vërteta. Fatkeqësisht.
Çim Peka: Zoti Tare, të falënderoj.
Auron Tare: Edhe unë faleminderit shumë.
© SYRI.net
Protestat/ Abilekaj: Rama i vendosur ta realizojë investimin në Zvërnec, edhe nëse s’i plotëson kushtet ligjore
Berisha fton partitë për bashkim: Bashkohem që nesër me cilindo që synon largimin e Ramës
Berisha flet për rezultatet në SHBA: Rritja e çmimeve ndikoi! Rama të ketë kujdes, para 3 javësh sulmoi demokratët