“Plumbi i Artë”/ SPAK kërkon 300 vite burg, Lala zbulon detaje tek “Të Paekspozuarit”

SPAK ka kërkuar rreth 300 vite burg për të pandehurit në dosjen “Plumbi i Artë”, ndërsa mes emrave kryesorë të përfshirë janë Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase.
E ftuar në emsionin “Të Paekspozuarit”, gazetarja Klodiana Lala shpjegoi se dënimet e kërkuara do të ishin edhe më të rënda nëse disa prej të pandehurve nuk do të kishin statusin e të penduarit të drejtësisë.
Ajo ndaloi veçanërisht te Erjon Alibej, duke treguar historikun e përplasjes mes grupeve kriminale në Elbasan, që sipas saj nisi pas humbjes së një sasie droge në Britaninë e Madhe dhe vijoi me një seri vrasjesh.
Pjesë nga intervista:
Rakipi: Kush janë personazhet kryesore dhe çfarë kërkon SPAK?
Lala: Kjo shifër që përdorët, pra 300 vite burg, është asgjë në raport me ato çfarë duhet të ishin dhënë. Sepse Nuredin Dumani, i penduar i drejtësisë, po të mos kishte statusin e të penduarit dhe të provoheshin akuzat që ka mbi supe, do shkonte automatikisht me burgim të përjetshëm. Erjon Alibej do shkonte automatikisht me burgim të përjetshëm. Skerdi Tase do shkonte automatikisht me burgim të përjetshëm. Alibej është nga zona e Elbasanit. Është ekzekutuar vëllai i tij i njohur si ‘Tarzani’ në Bradashesh, që ishte një nga masakrat më të rënda që ka ndodhur në zonën e Bradasheshit. Më pas, ky ka kontaktuar vrasësin me pagesë Nuredin Dumani dhe ka ekzekutuar njëri pas tjetrit të gjithë personat që dyshonte se kishin lidhje me vrasjen e të vëllait. Sa i përket Alibejt, përplasja mes dy grupimeve, mes grupimit të tij dhe organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, ka nisur për humbjen e një sasie droge në Britaninë e Madhe. Është rrahur një nga punonjësit atje në mënyrë barbare dhe më pas ndodhi masakra e Bradasheshit. Për Erjon Alibeun është kërkuar vetëm 15 vite burgim për shkak të statusit të tij si i penduar.
/vizionplus.tv




