Pamjet e sulmeve me granata ndaj lokaleve në qendër të Athinës kanë zbuluar mënyrën se si dyshohet se vepronte një organizatë kriminale, e drejtuar nga një shqiptar që ndodhej në burg. Sipas hetimeve të autoriteteve greke, në krye të grupit qëndronte 49-vjeçari Klodian Lekocaj, i njohur edhe si Klod Cara, i cili dyshohet se koordinonte aktivitetin kriminal nga qelia në burgun e Trikalasë.
Pamjet filmike janë publikuar nga media greke “Protothema” dhe dokumentojnë disa prej sulmeve të kryera ndaj dy lokaleve në kryeqytetin grek. Në një prej videove shihen autorët teksa i afrohen njërit prej bizneseve, hedhin një granatë brenda ambienteve ku ndodheshin klientë dhe më pas largohen.

Ngjarja është regjistruar në fillim të tetorit. Fatmirësisht, granata nuk shpërtheu, duke shmangur një tragjedi të mundshme për personat që ndodheshin brenda lokalit. Pamje të tjera dokumentojnë sulmet me granata ndaj dy bizneseve në fillim të muajit shtator.
Sipas hetuesve grekë, Lekocaj dyshohet se kishte ruajtur kontrollin operacional të organizatës edhe pse vuante dënimin në burg. Ai përcaktonte objektivat e sulmeve, analizonte informacionet e mbledhura nga bashkëpunëtorët, jepte udhëzime dhe mbikëqyrte zbatimin e veprimeve kriminale.
Organizata dyshohet se kishte një strukturë të qëndrueshme hierarkike, me ndarje të qartë të roleve dhe detyrave. Bashkëpunëtorët më të afërt të Lekocajt ishin një person me origjinë rome, i burgosur në Malandrino, dy shtetas egjiptianë që vuanin dënimin në burgjet e Avlonës dhe Malandrinos, si dhe pesë persona të tjerë që u arrestuan gjatë operacionit policor.
Hetimet kanë zbuluar se anëtarët e grupit merreshin me identifikimin dhe vëzhgimin e objektivave, mbledhjen e informacioneve për personat dhe automjetet, fotografimin dhe hartëzimin e zonave ku planifikoheshin sulmet. Ata siguronin gjithashtu mjetet e nevojshme, kryenin goditjet dhe organizonin largimin nga vendngjarja.

Një rol të rëndësishëm në funksionimin e organizatës dyshohet se kishin edhe bashkëpunëtorët që ndodheshin në burg. Sipas hetimeve, ata shërbenin si ndërmjetës në komunikimin mes Lekocajt dhe personave që vepronin jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit, duke përcjellë urdhrat dhe koordinuar veprimet.
Në kuadër të operacionit, Departamenti për Luftën kundër Zhvatjes, në bashkëpunim me grupet e parandalimit dhe ndërmjetësimit dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Menaxhimit dhe Analizës së Informacionit Kriminal, zhvilloi kontrolle në katër lokale në qendër të Athinës.
Gjatë ndërhyrjes u verifikuan 50 persona, ndërsa 27 prej tyre u shoqëruan në polici. Hetimet synojnë dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe të roleve që secili prej anëtarëve kishte në organizatë.



