Rreth 20 fluturime në disa vende të Evropës janë përfshirë në një valë të re kërcënimesh të rreme për bomba, për të tretën ditë radhazi, duke detyruar autoritetet të aktivizojnë masa të shtuara sigurie. Forcat ajrore të Italisë, Francës dhe Bullgarisë ngritën avionë luftarakë për të shoqëruar disa prej avionëve civilë, ndërsa tre fluturime u detyruan të ndryshonin itinerarin.
Kërcënimet prekën kryesisht kompanitë ajrore me kosto të ulët dhe linjat që lidhnin Bullgarinë, Çekinë dhe Italinë me destinacione të tjera evropiane. Të paktën pesë avionë morën shoqërim ushtarak pas sinjalizimeve, por të gjitha fluturimet e kontrolluara u ulën pa probleme dhe në asnjë prej tyre nuk u gjetën lëndë shpërthyese.
Bullgaria angazhoi avionët e saj luftarakë për të shoqëruar tre fluturime të kompanisë “Ryanair” drejt Sofjes, të nisura nga Madridi, Kopenhaga dhe aeroporti “Stansted” i Londrës.
Një tjetër incident përfshiu një avion të kompanisë “Aer Lingus”, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës. Ai u shoqërua nga avionë luftarakë francezë dhe u devijua drejt bazës ushtarake të “Évreux”, rreth 100 kilometra në perëndim të Parisit.
Ndërkohë, një fluturim i “Ryanair” nga Londra drejt Sofjes u ul në aeroportin e Plovdivit, ndërsa një avion i “Wizz Air”, që udhëtonte nga Milano drejt Varshavës, u ridrejtua drejt Vjenës.
Mesazhe anonime dhe pista të mundshme
Autoritetet po hetojnë origjinën dhe motivet e kërcënimeve. Gazeta italiane “Corriere della Sera” publikoi përmbajtjen e një mesazhi të dërguar kompanisë ADR, administruese e aeroporteve të Romës, ku pretendohej se bomba ishin vendosur në dy fluturime drejt kryeqytetit italian, njëri nga Helsinki dhe tjetri nga Dublini.
Mesazhi përmbante gjuhë kërcënuese dhe referenca mizogjene, si dhe përmendte lëvizjen e ekstremit të djathtë në Rusi, të njohur si “Male State”.
Edhe aeroporti i Pragës konfirmoi se kishte marrë mesazhe kërcënuese nga adresa anonime elektronike. Komisioneri i Bashkimit Evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, deklaroi se ishte ende herët për të përcaktuar nëse incidentet kishin lidhje me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, autoritetet evropiane kanë paralajmëruar për shtimin e sulmeve hibride, disa prej të cilave dyshohet se mund të kenë lidhje me Rusinë ose Iranin. Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar ndonjë lidhje mes këtyre kërcënimeve dhe ndonjë shteti apo organizate.
Policia çeke bëri të ditur se e vlerësonte të ulët besueshmërinë e sinjalizimeve, por theksoi se nuk po e nënvlerësonte situatën dhe se ishin aktivizuar të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.
Në Danimarkë, policia konfirmoi se dy avionët e kërcënuar ishin ulur pa probleme dhe se pasagjerët nuk kishin qenë në rrezik.
Vala e tretë e kërcënimeve brenda pak ditësh
Incidentet kanë shkaktuar shqetësim te udhëtarët, veçanërisht në aeroportin “Fiumicino” të Romës, ku disa pasagjerë shprehën frikë për sigurinë e fluturimeve në Evropë.
Megjithatë, numri i avionëve të prekur përbën një pjesë shumë të vogël të trafikut ajror kontinental. Sipas Eurocontrol, për të enjten ishin planifikuar gjithsej 25.072 fluturime në Evropë.
Kjo është vala e tretë e kërcënimeve brenda pak ditësh. Të martën u shënjestruan 10 fluturime, ndërsa të hënën një avion i “Wizz Air”, që udhëtonte nga Londra drejt Sofjes, u devijua dhe bëri një ndalesë emergjente në Budapest.
Deri tani, të gjitha alarmet kanë rezultuar të rreme. Autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar nëse këto incidente janë pjesë e një fushate të koordinuar.


