
Gazetari Osman Stafa, ka denoncuar publikisht kërcënimin dhe intimidimin që i kanë bërë policët teksa ka qenë duke filmuar ndërhyrjen e efektivëve ndaj një qytetareje pranë Piramidës në Tiranë.
Ai shkruan se përplasja nisi kur një punonjës policie iu afrua dhe e pyeti përse po filmonte. Stafa i është përgjigjur se, në ushtrimin e detyrës së tij, ka të drejtë të dokumentojë veprimet e policisë në hapësira publike. Sipas rrëfimit të tij, efektivi e kërcënoi me shoqërim në komisariat, duke pretenduar se nuk lejohej të filmonte një punonjës policie.
Situata, sipas Stafës, u përshkallëzua kur ai aktivizoi sërish telefonin për të regjistruar ngjarjen dhe për të kërkuar shpjegime. Në atë moment, disa persona civilë e rrethuan. Edhe pse e identifikuan dhe e thirrën në emër, ata i kërkuan të paraqiste kartën e gazetarit.
Gazetari pretendon se më pas disa prej personave civilë e kapën nga krahët, ia vendosën duart pas shpine dhe i morën telefonin, duke ndërprerë regjistrimin. Sipas tij, katër deri në pesë persona tentuan ta ulnin në tokë dhe e mbajtën të ndaluar për më shumë se 10 minuta, ndërsa i përsërisnin se do ta shoqëronin në komisariat dhe se mund të përfundonte natën në qeli.
Stafa shton se personat e pranishëm penguan edhe qytetarët e tjerë të filmonin ngjarjen. Telefonin, sipas tij, ia kthyen vetëm pasi u kontaktuan eprorët e punonjësve të policisë. Pas komunikimit me ta, efektivët u larguan dhe pajisja iu rikthye gazetarit.
Stafa e cilësoi incidentin si intimidim dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj tij, duke theksuar se në atë moment po dokumentonte një ndërhyrje policore ndaj një qytetareje. Ai kundërshtoi marrjen e telefonit, pengimin e filmimit dhe kufizimin e lëvizjes së tij, pavarësisht identifikimit si gazetar.
“Kam qenë duke filmuar një rast vënie gjobe ndaj një qytetareje tek Piramida. Punonjësi i policisë m’u afrua dhe më tha: “Pse filmon?” Iu përgjigja se filmoj ku të dua si gazetar. Përgjigjja ishte se do të shoqërohesha në komisariat dhe se s’mund të filmoja një punonjës policie.
Ky ishte një intimidim dhe kërcënim që m’u bë nga punonjësit e policisë. Një me uniformë dhe të tjerët civilë. Pas kërcënimeve dhe intimidimeve se pse filmoja, kam ndezur telefonin dhe i kam pyetur se pse do të më shoqëronin dhe pse po më kërcënonin.
Pas këtij momenti më rrethojnë civilët dhe, edhe pse më identifikojnë si Osman, më kërkojnë bexhin.
Më pas më deklarojnë se do të më shoqëronin dhe më kapën nga krahët, m’i vendosën duart mbrapa për të më ndalur.
Më marrin telefonin dhe ndalojnë videon. Më pas më vendosin krahët pas kurrizit dhe kërkuan të më ulnin në tokë. Ishin 10-12 civilë e policë. Më pas kërkojnë makinë për të më shoqëruar dhe më mbajnë më shumë se 10 minuta të ndaluar. Po më deklaronin se do ta kaloja natën në komisariat.
Asnjë person tjetër nuk lanë të filmonte. Telefonin nuk ma dhanë. Deri në momentin që u lajmëruan shefat dhe, pasi kuptuan se çfarë kishin bërë, u larguan dhe më dhanë telefonin. Kjo që ndodhi ishte një intimidim i pastër dhe kërcënim që m’u bë teksa po filmoja veprimet e policisë ndaj qytetarëve.
Punonjësit e policisë, edhe pse më identifikuan si Osman (më thirrën në emër), vijuan me veprimet e tyre antiligjore, duke më ndaluar filmimin, duke më sekuestruar telefonin dhe duke më ndaluar të lëvizja për më shumë se 10 minuta. Gjatë kësaj kohe, kërcënimet se do të arrestohesha, do ta kaloja natën në burg dhe se do të shoqërohesha ishin të vazhdueshme. Pasi komunikuan me shefat, u larguan dhe më dhanë telefonin.”