Sali Berisha ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, ku republikanët humbën pozicione në Kongres dhe Senat. Gjatë një interviste në emisionin “Now” të Erla Mëhillit, kreu i PD-së dha versionin e tij për arsyet që çuan në këtë rezultat, duke vënë në qendër të analizës ekonominë amerikane.
Sipas Berishës, pakënaqësia e votuesve është ushqyer nga shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve, ndërsa përgjegjësinë për këtë situatë ia atribuoi politikës së tarifave tregtare dhe konfliktit me Iranin. Ai veçoi ndikimin e Ngushticës së Hormuzit, të cilën Teherani, sipas tij, e ka përdorur si një mjet presioni strategjik.
Berisha argumentoi se këto zhvillime janë reflektuar drejtpërdrejt në jetën ekonomike të amerikanëve dhe kanë ndikuar në zgjedhjet e tyre politike.
“Populli amerikan, fatlum që zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme, votoi për kandidatët që ai konsideron dhe politikat që i konsideron më të mira”, u shpreh ai.
Ndërkohë, humbja e republikanëve nuk e ka shqetësuar Berishën sa i përket raporteve të tij me administratën amerikane. I pyetur nëse ndryshimi i balancave politike në Uashington mund të sjellë pasoja në marrëdhëniet e tij me SHBA-në, ai deklaroi se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë.
Për të argumentuar këtë pozicion, Berisha solli në vëmendje deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama për demokratët amerikanë dhe Donald Trumpin, duke i përdorur ato për të vënë në dukje kontrastin mes qëndrimeve politike.
“Asgjë nuk ndryshon në raportin tim me këtë administratë. Duhet t’i druhet pak Edi Rama, që vetëm tre javë më parë deklaroi demokratët dhe Bidenin tradhtarë të Hashim Thaçit, dhe vetëm dy javë më parë u çoi atyre mesazhin se ‘nuk e mundni dot Donald Trumpin me vota dhe kërkoni ta mundni me Zvërnecin’. Kështu që Sali Berisha është konstant”, tha ai.
Një tjetër çështje e trajtuar në intervistë ishte mungesa e kreut të PD-së në pritjen për ambasadorin e ri amerikan në Tiranë. Berisha mohoi që kjo të përbëjë një zhvillim të pazakontë, duke pretenduar se në shtatë apo tetë raste të mëparshme të ardhjes së ambasadorëve amerikanë ka marrë pjesë vetëm në një ceremoni mirëseardhjeje.
“Në pritjen e ardhjes së tij, të mirëseardhjes së tij, kam qenë vetëm njëherë tek një ambasador. Vetëm në një rast! Në shtatë raste apo tetë raste s’kam qenë”, deklaroi ai.
Sa i përket komunikimit institucional, Berisha tha se dera e PD-së mbetet e hapur për ambasadën amerikane dhe se përfaqësuesit e partisë vazhdojnë të përcjellin qëndrimet e tyre mbi situatën politike në Shqipëri.













