Pallati pesëkatësh në Elbasan, ku shpërthimi tragjik shkaktoi dy viktima dhe disa të plagosur, do të shembet pasi ekspertët kanë konstatuar dëmtime të rënda strukturore në të gjithë godinën. Banorët kanë humbur mundësinë për t’u rikthyer në apartamentet e tyre, ndërsa pritet të përfitojnë mbështetje për strehim të përkohshëm.
Vendimi për shpalljen e pallatit të pabanueshëm është marrë pas verifikimeve në terren nga drejtuesja përkatëse dhe ekspertët, të cilët kanë vlerësuar se dëmet e shkaktuara nga shpërthimi përbëjnë rrezik për sigurinë e banorëve.
Gazetari Fatos Salliu, në një lidhje nga Elbasani për emisionin “Rudina”, bëri të ditur se edhe pjesa e godinës që nuk është shkatërruar plotësisht ka pësuar dëmtime të rënda strukturore.
“Po, është vendim përfundimtar që është marrë sot, pasi vetë drejtoresha, bashkë me ekspertët, konstatuan nga afër, panë nga afër strukturën e këtij pallati dhe konstatuan që është i pabanueshëm. Madje, për banorët e pjesës tjetër, pra një pjesë e pallatit është totalisht e shkatërruar, ndërsa pjesa tjetër ka pësuar dëmtime të rënda strukturore. E pyetur se si do të procedohet me banorët e tjerë, drejtoresha u shpreh që ata vetëm mund të marrin gjërat e tyre personale ose gjërat me vlerë, le të themi, vetëm përmes ekipeve të specializuara, pra qoftë të zjarrfikëses, qoftë të personave të specializuar në të tilla raste”, raportoi Salliu.
Kjo do të thotë se banorët nuk do të kenë mundësi të hyjnë lirisht në banesat e tyre për të marrë sendet personale. Nxjerrja e tyre do të bëhet vetëm nën mbikëqyrjen e zjarrfikësve ose ekipeve të tjera të specializuara, për shkak të rrezikut që paraqet struktura e dëmtuar.
Një tjetër çështje që kërkon zgjidhje është strehimi i familjeve të mbetura pa banesa. Sipas gazetarit, pushteti vendor pritet të ndërhyjë për t’u siguruar atyre mbështetje, përfshirë mundësinë e përfitimit të bonusit të qirasë përmes vendimeve të Këshillit Bashkiak.
Sa i përket së ardhmes së godinës, nëse realizohet prishja e plotë, parashikohet që në të njëjtin truall të ndërtohet një pallat i ri. Salliu tha se banorët mund të mbështeten me strehim me qira gjatë periudhës së nevojshme, deri në përfundimin e ndërtimit.
“Besoj se, nëse do të prishet kjo strukturë, në të njëjtin vend do të ndërtohet edhe pallati i ri. Por ajo që do të bëjë pushteti lokal është që do t’i sistemojë këta banorë, pra do t’u ofrojë ndihmë, strehim, qoftë përmes bonusit social, përmes vendimeve të Këshillit Bashkiak, për t’i mbështetur që të qëndrojnë me qira ndoshta gjatë kësaj periudhe, deri në përfundimin e ndërtimit të pallatit”, bëri me dije gazetari.


