Vendosni fjalën kyçe....

Nafta bie nën 100 dollarë për fuçi, mes shpresave për paqe pas zgjedhjeve


Çmimet e naftës pësuan një rënie të fortë të mërkurën, duke zbritur në nivelin më të ulët të dy muajve të fundit, pasi fitorja dërrmuese e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA rriti presionin ndaj Donald Trump për t’i dhënë fund luftës së tij në Iran.

Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, ra me 9.3 për qind, në 93.95 dollarë për fuçi, pasi zëvendëspresidenti amerikan JD Vance fajësoi konfliktin për humbjen dërrmuese të republikanëve në zgjedhjet e së martës, shkruan FT.

Çmimi ka rënë me më shumë se 17 për qind që nga fundi i javës së kaluar, pas raportimeve për përparim drejt një marrëveshjeje paqeje mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Nafta West Texas Intermediate (WTI), standardi amerikan i referencës, ra të mërkurën me 8.9 për qind, në rreth 87.70 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie prej gati 16 për qind gjatë kësaj jave.

“Arsyeja e vërtetë pse humbëm është e qartë për pothuajse të gjithë”, shkroi Vance në rrjetet sociale, duke shtuar se sondazhet kishin treguar se përgjigjja më e shpeshtë e votuesve republikanë, të pyetur se përse votuan për demokratët të martën, ishte kërkesa për t’i “dhënë fund luftës”.

Tregtarët dhe analistët thanë se çmimet e naftës po ndikonin nga një valë e fortë optimizmi për përfundimin e konfliktit, i cili ka shkaktuar trazira në tregun global të naftës dhe ka kufizuar ndjeshëm eksportet e naftës bruto nga Gjiri Persik.

“Tregu po sinjalizon se Kongresi dhe anëtarët e vetë administratës së tij ka të ngjarë të fillojnë të veprojnë si një kufizim ndaj luftës së presidentit Trump në Iran”, tha Seb Barker, kryestrateg i tregut në kompaninë e fondeve mbrojtëse Marshall Wace.

Donald Trump Jr, djali i madh i presidentit, shprehu në platformën X mbështetjen e tij për mesazhin e Vance.

CBS raportoi të mërkurën se Trump kishte pyetur këshilltarët nëse duhej të shkarkonte sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, një mbështetës i vendosur i luftës në Iran. Chuck Schumer, lideri i demokratëve në Senat, tha se shumica e re e partisë së tij do të bashkëpunonte me republikanët për t’i dhënë fund luftës.

Rënia e çmimeve të naftës shkaktoi një rritje të gjerë në tregjet e obligacioneve shtetërore, të cilat janë goditur rëndë muajt e fundit nga inflacioni i nxitur prej çmimeve të energjisë.

Yield-i i obligacioneve britanike me maturim 10-vjeçar ra me 0.13 pikë përqindjeje, rënia më e madhe ditore që nga maji, duke zbritur në 5.16 për qind. Yield-i i borxhit francez me të njëjtin maturim ra me 0.16 pikë përqindjeje, në 4.78 për qind. Yield-et bien kur çmimet e obligacioneve rriten.

Claudio Galimberti, kryeekonomist në grupin kërkimor Rystad Energy, tha se rezultatet e zgjedhjeve do ta bënin më të kushtueshme politikisht vazhdimin e luftës për administratën Trump.

“Fitorja dërrmuese e demokratëve ndryshon koston politike të vazhdimit të luftës në Iran. Shtëpia e Bardhë ruan kompetencat e saj diskrecionale për sulmet, bllokadat dhe licencat e sanksioneve. Ajo që ndryshon, megjithatë, është çmimi politik i përdorimit të këtyre kompetencave”, tha ai.

“Me të dyja dhomat [e Kongresit] tashmë në gjendje të miratojnë rezoluta, të bllokojnë financimin e luftës dhe të vonojnë konfirmimin e emërimeve, administrata përballet me një hapësirë më të kufizuar kohore për të vepruar politikisht dhe me presion më të madh institucional për të gjetur një marrëveshje [paqeje]”, shtoi ai.

Joel Hancock, analist i lartë i tregjeve të mallrave në bankën Natixis, tha se Trump kishte lënë të kuptohej se po largohej nga deklaratat e mëparshme, sipas të cilave mund të rifillonte sulmet ndaj Iranit pas zgjedhjeve.

“Të gjitha deklaratat e fundit të Trump për Iranin kanë qenë mjaft pajtuese, ose të paktën nuk kanë treguar ndonjë urgjencë për të ndërmarrë një sulm. Kjo bie drejtpërdrejt ndesh me narrativën se jemi në prag të një rifillimi të menjëhershëm të luftës”, tha ai.

Megjithatë, ai shtoi se, në mungesë të një marrëveshjeje paqeje, çmimi i naftës Brent ka të ngjarë të rikthehet mbi 100 dollarë për fuçi, për shkak të kostove të larta logjistike dhe vështirësive që vazhdojnë të pengojnë transportin e naftës bruto nga Gjiri Persik.