A i ndryshon politika serbe me Rusinë dhe Kinën pas humbjes së Vuçiç?

Humbja e thellë zgjedhore e Aleksandar Vuçiçit bëri jehonë edhe në Moskë e Pekin. Me ndryshimin e pushtetit në Serbi, Rusia dhe Kina humbën edhe një partner në Evropë, vetëm disa muaj pas humbjes së Viktor Orbanit në zgjedhjet në Hungari.
Ende nuk dihet se në çfarë drejtimi do ta udhëheqin Serbinë autoritetet e reja, të dala nga lëvizja studentore.
Ndryshe nga ato, Vuçiç, gjatë 15 vjetëve të fundit, ishte mbështetur fuqishëm te marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.
“Me largimin e tij nuk zhduken as interesat ruse dhe kineze, as rrjetet e krijuara ndër vite”, thotë Tena Prelec, nga Universiteti i Rijekës.
Megjithatë, sipas kësaj eksperteje të marrëdhënieve ndërkombëtare, “mënyra se si ato ushtrojnë ndikim në pushtetin politik, mund të ndryshojë”.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, Serbia hyn në një periudhë të re politike si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por me lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën.
Këto lidhje i ndërtoi Vuçiç gjatë 14 vjetëve në pushtet, fillimisht si kryeministër e më pas si president i Serbisë.
Ai kultivoi marrëdhënie të afërta edhe me udhëheqësit e këtyre dy vendeve, Vladimir Putin dhe Xi Jinping. Prej tyre, ai u dekorua me urdhra për miqësi.
Autoritetet serbe vazhdojnë të refuzojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, edhe me çmimin e ngecjes së procesit të integrimit evropian.
Serbia, po ashtu, vazhdon të furnizohet me gaz nga Rusia, prej nga siguron mbi 80 për qind të këtij burimi energjetik.
Kompania kombëtare e naftës, NIS, është në pronësi shumicë ruse dhe, për këtë arsye, ndodhet nën sanksionet e SHBA-së.
Kina, në anën tjetër, është partnere e Serbisë në një sërë projektesh infrastrukturore, si dhe një nga vendet prej të cilave Serbia ka nisur të blejë armatim.
Përveç kësaj, Serbia mbështeti së voni edhe Iniciativën Globale të Sigurisë të Kinës, duke nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, i cili tha se rruga e Serbisë drejt anëtarësimit kërkon zgjedhje të qarta strategjike.
Humbja e Vuçiçit, sipas Prelecit, përbën një ndryshim të rëndësishëm për Moskën dhe Pekinin, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se marrëdhëniet e tyre me Serbinë do të dobësohen.
“Ajo që mund të ndryshojë, madje në mënyrë të konsiderueshme, është mënyra e qeverisjes së vendit, e marrjes së vendimeve dhe e lidhjes së marrëveshjeve me partnerët e huaj”, thotë ajo.
Prelec shton se mënyra se si Vuçiç e ka qeverisur Serbinë, favorizonte projekte të mëdha, për të cilat marrëveshjet arriheshin në nivelet më të larta politike, shpesh duke anashkaluar procedurat e zakonshme dhe pa mbikëqyrje të mjaftueshme publike.
Çfarë mund të pritet?
Lista Studentore, e cila më 25 tetor shënoi fitore bindëse ndaj Aleksandar Vuçiçit dhe Partisë së tij Përparimtare Serbe, nuk ka paralajmëruar ndonjë ndryshim të madh në politikën e jashtme.
Qysh gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesit e saj deklaruan se nuk do të vendosin sanksione ndaj Rusisë.
Në të njëjtën kohë, sikurse pushteti i mëparshëm, theksuan se do të vazhdojnë ta respektojnë integritetin territorial të Ukrainës.
Ata paralajmëruan edhe forcimin e partneritetit strategjik me Kinën, por me kusht që të gjitha projektet e ardhshme të respektojnë ligjet vendore, standardet mjedisore, të drejtat e punëtorëve dhe rregullat e sigurisë në punë.
Bartësi i Listës Studentore, Ilija Sërdanoviç, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se pushteti i ri do të kërkojë transparencë për të gjitha projektet e mëdha investuese, veçanërisht ato infrastrukturore që janë në ndërtim ose që planifikohen në të ardhmen.
I pyetur nëse do t’i bëjnë publike kontratat sekrete, përfshirë ato për investimet kineze, ai tha se pushteti i ri do të kërkojë qasje të plotë në dokumentacion, përpara se të japë një vlerësim për të.
Prelec vlerëson se nëse pushteti i ri i përmbush premtimet e studentëve për forcimin e institucioneve, transparencë, sundim të ligjit dhe llogaridhënie, kjo mund t’i ndryshojë kushtet në të cilat Rusia dhe Kina veprojnë në Serbi.
“Edhe nëse marrëdhëniet zyrtare mbeten të mira… Pra, nuk është i domosdoshëm një ndryshim i madh në orientimin gjeopolitik të Serbisë, që të ketë ndryshime konkrete në marrëdhëniet me këto vende”, thotë ajo.
Përfaqësuesit e Listës Studentore kanë paralajmëruar se, pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë, një delegacion i tyre do të udhëtojë në Moskë për të diskutuar zgjatjen e kontratës së furnizimit me gaz, e cila skadon më 31 dhjetor, si dhe sanksionet amerikane ndaj kompanisë së naftës NIS.
Ndryshe nga marrëveshjet e mëparshme afatgjata për furnizimin me gaz, gjatë një viti e gjysmë të fundit, pala ruse ka lidhur kontrata tremujore për furnizimin e Serbisë me këtë burim energjetik.
Prej muajsh po vazhdojnë edhe negociatat mes kompanisë shtetërore ruse, GazpromNeft, dhe kompanisë hungareze, MOL, për blerjen e pjesës së aksioneve ruse në NIS.
Në të njëjtën kohë, administrata amerikane ia vazhdon çdo muaj licencën e operimit kompanisë NIS.
Çfarë rëndësie kishte Vuçiçi për Moskën dhe Pekinin?
Moska dhe Pekini reaguan me përmbajtje ndaj ndryshimit të pushtetit në Serbi, pa shprehur shqetësim për largimin e Vuçiçit.
Një ditë pas zgjedhjeve, të dyja vendet deklaruan se janë të gatshme të bashkëpunojnë me autoritetet e reja serbe.
Kremlini bëri të ditur se dëshiron ta vazhdojë zhvillimin e marrëdhënieve me Serbinë, pavarësisht humbjes së Vuçiçit, duke shfaqur shpresën se udhëheqësit e rinj do ta kuptojnë se “bashkëpunimi me Rusinë është në interes të vendit të tyre”.
Në Pekin u tha se Kina “respekton zgjedhjen e pavarur të popujve të vendeve të tjera”.
“Jemi të gatshëm që, së bashku me Qeverinë e re të Serbisë, të vazhdojmë forcimin e miqësisë tradicionale, të thellojmë besimin e ndërsjellë politik dhe të zgjerojmë bashkëpunimin praktik”, u tha në reagimin e autoriteteve kineze.
Prelec thotë se Vuçiç ka qenë një partner jashtëzakonisht i dobishëm si për Moskën, ashtu edhe për Pekinin.
Sipas saj, kjo nuk lidhej vetëm me qëndrimet e tij në politikën e jashtme, por edhe me sistemin politik që kishte ndërtuar.
“Pushteti i tij, i përqendruar kryesisht në duart e një personi, mundësonte që marrëdhëniet e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë projektet e mëdha ekonomike, të zhvilloheshin shpesh përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta politike, pa mbikëqyrje të mjaftueshme institucionale”, thotë ajo.
Miqësia tradicionale me Rusinë
Gjatë 15 vjetëve në pushtet, Vuçiç vuri vazhdimisht në pah marrëdhëniet e tij të mira me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, i cili në vitin 2019 e dekoroi me Urdhrin e Aleksandr Nevskit.
Kur Putin vizitoi Beogradin atë vit, Vuçiç deklaroi se “Rusia gjithmonë ka mundur të llogarisë te Serbia si aleate”.
Putin ishte udhëheqësi i fundit i huaj me të cilin Vuçiç bisedoi në telefon në shtator, përpara se të jepte dorëheqje nga pozita e presidentit, për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore.
Ata diskutuan për marrëveshjen e furnizimit të Serbisë me gaz.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, kontaktet mes tyre u zhvilluan kryesisht përmes bisedave telefonike.
Gjatë kësaj periudhe, ata u takuan edhe në Moskë dhe në Pekin, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.
Vuçiç i hodhi poshtë pretendimet se Serbia ishte “kalë Troje” i Moskës, pavarësisht refuzimit për t’iu bashkuar sanksioneve evropiane ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Prelec thotë se Serbia ka rëndësi për Rusinë, para së gjithash, nga pikëpamja gjeopolitike.
“Pushteti i Vuçiçit i mundësonte Moskës të ruante ndikim të konsiderueshëm në një vend që zyrtarisht është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thotë ajo.
Prelec shton se ndikimi rus në Serbi nuk ushtrohet vetëm përmes varësisë energjetike dhe lidhjeve politike, por edhe përmes mediave dhe rrjeteve të ndryshme joformale të ndikimit.
“Nuk duhet harruar se në Serbi ekziston edhe mbështetje e mirëfilltë për marrëdhënie të ngushta me Rusinë, e cila, thjesht, nuk mund t’i atribuohet propagandës ruse apo ndikimit të pushtetit të Vuçiçit”, thotë Prelec.
Si u forcua “miqësia e çeliktë” me Kinën?
Gjatë qeverisjes së Vuçiçit, Serbia i forcoi marrëdhëniet me Kinën, të cilat udhëheqësit e dy vendeve i cilësuan si “miqësi e çeliktë”.
Serbia u bë një nga vendet kryesore të investimeve kineze në rajon, veçanërisht në sektorët e minierave, industrisë dhe infrastrukturës.
Marrëveshjet me kompanitë kineze u bënë përmes kontratave sekrete, në bazë të një ujdie ndërshtetërore mes Beogradit dhe Pekinit.
Bashkimi Evropian e ka kritikuar Serbinë për huamarrjen dhe marrëveshjet me Kinën, të cilat në raportet e organizatave ndërkombëtare përshkruhen si jotransparente dhe të ekspozuara ndaj korrupsionit.
Pikërisht një nga projektet kryesore të Vuçiçit me partnerët kinezë – modernizimi i hekurudhës – nxiti protesta masive kundër Qeverisë, pas vdekjes së 16 personave në një stacion hekurudhor.
Punimet e rindërtimit u kryen në kuadër të ndërtimit të linjës së shpejtë hekurudhore Beograd-Suboticë, e cila pritet të jetë pjesë e lidhjes ndërkombëtare hekurudhore me Budapestin, në kuadër të nismës kineze “Një brez, një rrugë”.
Sipas Prelecit, paralajmërimi i Listës Studentore për vazhdimin e partneritetit strategjik me Kinën sugjeron se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ruajnë vazhdimësinë.
Megjithatë, ajo thekson se këmbëngulja e studentëve për respektimin e ligjeve vendore, standardeve mjedisore, të drejtave të punëtorëve dhe sigurisë në punë vë në pikëpyetje disa nga praktikat që kanë karakterizuar deri më tani bashkëpunimin ekonomik mes Serbisë dhe Kinës.
“Investimet kineze nuk është e thënë të ndalen që marrëdhëniet me Pekinin të ndryshojnë rrënjësisht. Mjafton që rregullat që vlejnë për të gjithë, të fillojnë të zbatohen në mënyrë të njëjtë edhe për investitorët kinezë”, thotë Prelec.
Ajo thekson se jo të gjitha investimet dhe kompanitë kineze duhet trajtuar njësoj dhe se të njëjtat standarde duhet të vlejnë për të gjithë investitorët e huaj, përfshirë ata evropianë.
Sipas saj, përgjegjësia për marrëveshjet problematike nuk bie vetëm mbi palën kineze, pasi “autoritetet serbe kanë luajtur rol kyç në krijimin e kushteve, në të cilat janë realizuar këto marrëveshje”.
Lista Studentore, e cila ka siguruar shumicën e vendeve në Parlamentin e Serbisë, ka theksuar vazhdimisht se përparësitë e saj janë ndërtimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit.
Kështu, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën nuk renditen ndër përparësitë kryesore të saj, ndonëse pushteti i ri, në fund të dhjetorit, do të përballet me një çështje të rëndësishme: skadimin e kontratës për furnizimin me gaz rus. /REL/




