Vendosni fjalën kyçe....

SHBA sanksionon rrjetin që ndihmon Iranin, ndërsa Rusia raportohet se do ta furnizojë me 90 lëshues raketash


Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj dy individëve dhe një subjekti me bazë në Bjellorusi, Rusi dhe Nigeri, për përfshirjen e tyre në përpjekjet e Iranit për të siguruar sisteme portative të mbrojtjes ajrore, të njohura si MANPADS.

 Vendimi u bë publik të mërkurën nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Sanksionet janë pjesë e operacionit “Economic Outcast”, përmes të cilit Uashingtoni synon të izolojë ekonomikisht Teheranin dhe t’i japë fund konfliktit mes dy vendeve.

Ndërkohë, një ditë më vonë, gazeta “Financial Times” raportoi se Rusia kishte nënshkruar një marrëveshje armësh me Iranin për furnizimin e këtij të fundit me 90 lëshues të avancuar raketash të drejtuara, përcjell JP.

Porosia lidhet me një plan prodhimi për periudhën 2024–2025 të kompanisë së madhe ruse të mbrojtjes Vympel, e cila prodhon sisteme lëshimi raketash të montuara në helikopterë dhe të përdorura gjerësisht në luftën në Ukrainë.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Financial Times”, në një plan prodhimi përmenden shtatë klientë rusë dhe dy blerës të huaj, Kina dhe një klient i identifikuar me kodin “K-10”.

Një person i njohur me çështjen dhe dokumentacioni i brendshëm rus i kanë konfirmuar gazetës se “K-10” është emërtimi që agjencia shtetërore ruse e armëve përdor për Iranin.

Dokumentet përfshijnë gjithashtu të dhëna për kontrata të avionëve stërvitorë Yak-130 dhe avionëve të lehtë sulmues, të cilat përputhen me raportimet publike për furnizimet e Iranit në vitet 2023 dhe 2024.

Një përfaqësues i kompanisë ukrainase të inteligjencës Dallas Analytics, i cituar nga “Financial Times”, shpjegoi se raketa LMUR ka shpejtësi dukshëm më të madhe se një dron dhe arrin objektivin në një kohë shumë më të shkurtër.

Sipas tij, ajo lëviz me rreth 230 metra në sekondë dhe përshkon një distancë prej 14 kilometrash për afërsisht një minutë. Taktika e përdorimit është goditja e shpejtë dhe largimi nga pozicioni i lëshimit përpara se kundërshtari të reagojë.

 

Marrëdhëniet Moskë-Teheran po thellohen

Marrëdhëniet mes Iranit dhe Rusisë janë zgjeruar nga një bashkëpunim i bazuar kryesisht në interesa të përbashkëta në një partneritet më të strukturuar strategjik, që përfshin fushat ushtarake, ekonomike dhe gjeopolitike.

Marrëveshja gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik mes dy vendeve, e nënshkruar në janar të vitit 2025, parashikon zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, në kushtet e sanksioneve amerikane dhe ndërkombëtare, si dhe forcimin e lidhjeve ushtarake.

“Financial Times” ka raportuar më herët se Rusia ka ndihmuar Iranin në prodhimin e raketave supersonike të lundrimit, i ka shitur sisteme kundërajrore që lëshohen nga supi dhe ka kontribuar në zhvillimin e programit të tij bërthamor.

Nicole Grajewski, nga Carnegie Endowment for International Peace, e cilësoi marrëveshjen e raportuar si tregues të gatishmërisë së Rusisë për të vazhduar furnizimin e Iranit me armë, pavarësisht nevojave të saj ushtarake në luftën në Ukrainë dhe kundërshtimeve të Perëndimit.

 

Irani pritet të marrë edhe avionë luftarakë Su-35

Në një tjetër zhvillim, zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, gjenerali Mohammad Akraminia, deklaroi këtë javë për mediat vendase se vendi pritet të marrë avionë luftarakë rusë të tipit Su-35 pas përfundimit të luftës me SHBA-në.

Sipas tij, përpara nisjes së konfliktit në fund të shkurtit, Garda Revolucionare ishte në fazat përfundimtare të procesit për sigurimin e këtyre avionëve. Në një intervistë për median në gjuhën perse “Tabnak”, Akraminia tha se Su-35 pritej të mbërrinin në Iran përpara fillimit të luftës.

Ai theksoi gjithashtu se Irani ka bërë përparime në prodhimin vendas të pajisjeve ushtarake, por se blerja e teknologjisë së huaj mund të ndihmojë në përvetësimin e kapaciteteve më të avancuara dhe në zhvillimin e mëtejshëm të industrisë vendase.

Zyrtari nuk e përmendi drejtpërdrejt Rusinë në intervistë, por Su-35 është avion i projektuar dhe prodhuar nga kompania ruse Sukhoi, pjesë e United Aircraft Corporation.