“I dashur Antonio, në dritën e zhvillimeve më të fundit, jam e detyruar t’i rikthehem një çështjeje që e kam ngritur disa herë në Këshillin Europian. E kam fjalën për nevojën që Europa të flasë me një zë të vetëm për çështjen e Ukrainës. Një nevojë që tashmë nuk mund të shtyhet më”.

Kështu nis letra që kryeministrja italiane, Xhorxhia Meloni, i ka dërguar presidentit të Këshillit Europian, Antonio Kosta. Në letër, Meloni rikujton ngjarjet e muajit të fundit, me takime të zhvilluara në vende të ndryshme, nga Shtetet e Bashkuara dhe Skandinavia, deri në Berlin, Bruksel dhe Lindjen e Mesme.

“Në Majami, një takim ‘joformal’ mes këshilltarëve të sigurisë kombëtare të disa shteteve europiane, Ukrainës dhe përfaqësuesve të NATO-s dhe BE-së u konfirmua vetëm më vonë, nga burime amerikane. Më pas u mblodhëm në Oslo. Pak ditë më vonë, në Helsinki, gjatë sesionit të Këshillit Nordik, presidenti Stub dhe kryeministri Støre ndërprenë punimet për një telefonatë ‘në cilësi kombëtare’ me presidentin rus Putin. Menjëherë pas kësaj, për datën 19 nëntor u thirr në Berlin një takim i Koalicionit të Vullnetarëve, ku marrin pjesë 37 shtete. Por një javë më parë, pra më 12 nëntor, në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Europian, u thirrëm në një mbledhje të të ashtuquajturit ‘formati i Berlinit’, që ka një përbërje krejt tjetër nga të gjitha formatet e tjera që përmenda. Sikur të mos mjaftonte kjo, mësoj se këto ditë po zhvillohen takime në nivel teknik në Bruksel dhe se është parashikuar një prani europiane, ende e papërcaktuar qartë, në bisedimet që pritet të zhvillohen në Abu Dhabi mes ukrainasve dhe rusëve, me ndërmjetësimin amerikan. Dhe ndërkohë, do të jemi takuar edhe në Këshillin Europian joformal në Dublin” shkruan Meloni.

Sipas kryeministres italiane, kjo pasqyrë e ngjarjeve shpjegon “më mirë se çdo fjalë se sa pak të besueshëm po na bën e gjithë kjo në menaxhimin e një prej çështjeve më të ndërlikuara me të cilat përballen vendet tona”.

Për Melonin, “të gjithë e kuptojmë se, duke dhënë imazhin e një Europe që vepron e përçarë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse u shërbejmë interesave të atyre që duan që kjo luftë të vazhdojë. Dhe mendoj se kjo është e papranueshme, kur në lojë janë jetë njerëzish dhe e ardhmja e sigurisë sonë”.

Pse një letër drejtuar Kostës?

Është vetë kryeministrja italiane që e shpjegon. Ajo ka vendosur “t’i hedhë këto fjalë të zeza mbi të bardhë”, sepse dëshiron që të mbetet e dokumentuar “se nuk pranoj të bëhem pjesë e kësaj dinamike dhe as nuk kam ndërmend të qëndroj duke parë teksa ajo vazhdon”. Në të njëjtën kohë, Meloni kërkon “të shmangë çdo keqkuptim”.

“Nuk po kërkoj një vend për Italinë në këtë apo atë format. Përkundrazi, nëse kjo mund ta bëjë kërkesën time më të besueshme, jam e gatshme të them se nuk e kërkoj këtë rol as për veten time dhe as për Italinë. Kur kemi pasur mundësi, nuk e kemi kursyer kurrë kontributin tonë dhe nuk do ta kursejmë as nesër. Por nuk jemi të gatshëm të pranojmë që, pa pasur një mandat, të negociohen angazhime që më pas do t’i kërkohet t’i marrë përsipër edhe vendi ynë”, thekson kryeministrja.

“Për më tepër, rezultati na intereson shumë më tepër sesa formati. Dhe që Europa të mund të synojë të ndikojë në përcaktimin e këtij rezultati, duhet të flasë me një zë të vetëm dhe autoritar” shton ajo.

Ajo që Meloni vazhdon të kërkojë është që “të vendoset një herë e mirë kush ulet në tryezën e negociatave në përfaqësim të Bashkimit Europian dhe me çfarë mandati”.

“Sepse të vazhdojmë të veprojmë të përçarë, me nisma që ndjekin dhe mbivendosen me njëra-tjetrën, nuk do të na ndihmojë as në marrëdhëniet me partnerët tanë dhe as me ata që duhet t’i bindim t’i japin fund një agresioni të pakuptimtë” thotë Meloni.

Prej këtej vjen edhe kërkesa “formale” drejtuar Kostës, të cilit Meloni i premton se do t’i japë gjithmonë “mbështetjen” e saj.

“Që në mbledhjen e ardhshme joformale të Këshillit Europian në Dublin, kjo çështje të diskutohet, në mënyrë që Këshilli Europian i dhjetorit të jetë në gjendje të formalizojë një vendim për këtë pikë, edhe pas koordinimit me Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë dhe partnerët e tjerë europianë të interesuar. Në të kundërt, kam frikë se rrezikojmë ta dënojmë Europën të mbetet pa asnjë rol në procesin e negociatave” përfundon Meloni.