Protestat dhe bllokimi i rrugëve në Tiranë u bënë shkas për debat sot në Komisionin për Kulturën mes ministrit Blendi Gonxhja dhe deputetes së PD-së, Ina Zhupa. Gonxhja kundërshtoi bllokimin e akseve kryesore të kryeqytetit nga grupe të vogla protestuesish, duke sugjeruar që tubimet të zhvillohen në sheshin “Skënderbej”, pa penguar qarkullimin dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Por Zhupa e kundërshtoi, duke theksuar se protestat nuk janë festa që mund të organizohen me ftesa dhe se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pranë institucioneve të pushtetit.
“Për një numër si ai që kemi parë ditët e fundit, do të doja të kujtoja që në Tiranë kemi një shesh kryesor që quhet sheshi ‘Skënderbej’, një shesh pedonal që mundëson tubime, festa, aktivitete, protesta dhe nxë një pafundësi njerëzish. Nuk e kam për provokim. Por në raste normale, kur ne mund të shprehim vullnetin apo protestën, kemi një shesh, prandaj e kemi, që të mos bllokojmë”, tha Gonxhja.
Zhupa iu kundërpërgjigj duke e cilësuar protestën si revoltë qytetare dhe jo si një aktivitet që mund të planifikohet sipas dëshirës së qeverisë.
“Nuk është protesta festë me ftesa që të organizosh ti ditën dhe vendin. Ashtu bëj festat e PS-së. Kjo është revoltë qytetare. Jo po të shkojnë në Vorë te stadiumi i Kanye Ëestit”, tha deputetja demokrate.
Ministri këmbënguli se protestat nuk duhet të pengojnë qytetarët e tjerë, veçanërisht kur pjesëmarrja është e vogël.
“Nuk mund të merret peng përditshmëria e gjithë qytetarëve të tjerë se 10-50 veta duan të bllokojnë akset kryesore të qytetit. Në rast se numrat e protestuesve janë aq pak, mund të tubohen në një shesh që s’bllokon as trafikun e as jetën e qytetit. Bulevardi nuk është pedonale”, deklaroi Gonxhja.
Ndërsa Zhupa insistoi se bulevardi u përket qytetarëve dhe se protestat nuk kanë nevojë për leje.
“Bulevardi është i qytetarëve shqiptarë dhe i takon protestës. Nuk ka nevojë të marrë leje. Në çdo vend të botës protestohet ku janë godinat e pushtetit”, u shpreh ajo.
Debati vijoi edhe me krahasimet me protestat e viteve ’90. Gonxhja kujtoi se kishte protestuar në një kohë kur mungonin të drejtat themelore, ndërsa Zhupa e pyeti nëse edhe atëherë i kishin përcaktuar se ku duhej të protestonte.
“Unë kam protestuar kur mungonin të drejtat themelore”, tha ministri.
“Të kanë thënë atëherë shko protesto këtu a atje apo ke protestuar ku të ka dashur qejfi? Ke rrëzuar bustin”, iu përgjigj Zhupa.
Gonxhja kundërshtoi krahasimin e protestave të asaj kohe me situatën e sotme, duke theksuar se konteksti politik është i ndryshëm.
“Krahasoni epokat e atyre protestave? ’90, ’94, ’96, ’98? A mund të flasim për të njëjtin kontekst sot? Ne kemi luftuar kur nuk ekzistonte vota. Sot votën e ke atje. Shumica e atyre djemve dhe vajzave nuk kanë votuar dhe nuk duan të votojnë”, përfundoi Gonxhja.
Debate mes deputetit socialist Erjon Malaj dhe deputetes së PD-së, Ina Zhupa, janë regjistruar sot në Komisionin e Kulturës lidhur për protestat dhe qëndrimin e opozitës ndaj tyre.
Malaj akuzoi opozitën se po përpiqet të përvetësojë kauzat e protestuesve dhe i kujtoi Zhupës se protestuesit nuk po i lejojnë demokratët as të qëndrojnë në trotuar, e jo më t'u japin votën. Sipas tij, edhe brenda PD-së ka nga ata që e kanë kuptuar këtë situatë,
“Protestuesit nuk po ju lejojnë ju të rrini në një trotuar, jo t’ju japin votën. Ka shumë elementë të PD-së që këtë e kanë kuptuar. Se në çdo kauzë ka grupime që shkojnë për të vjedhur kauzën e fitojnë, por nuk fitojnë asgjë e vetëm tkurren”, u shpreh Malaj.
Deputeti socialist vijoi kritikat ndaj demokratëve, duke u thënë se me qëndrimet e tyre po dëmtojnë politikisht veten.
“Ju po i bëni vetes vetëvrasje politike, duke bërë populizma të tipit ‘u ndalua Agroni me flamur kombëtar’”, tha ai.
Nga ana tjetër, Zhupa pranoi se mes protestuesve ka edhe qytetarë që nuk e shohin PD-në si alternativë politike, por theksoi se ata i bashkon kundërshtimi ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Sot dalin dhe ata që nuk e shohin PD-në si alternativë, por na bashkon një gjë: e keqja e madhe e këtij vendi, Edi Rama”, deklaroi Zhupa.
Debati mes dy deputetëve nisi pasi Zhupa ngriti çështjen e ndalimit të protestuesit Agron Jemini, duke pretenduar se ai ishte marrë nga policë civilë, ishte goditur dhe ishte mbajtur në komisariat në mënyrë të paligjshme.










