Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur sërish mbështetjen për sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke përjashtuar mundësinë e largimit të tij nga detyra, pavarësisht kritikave për mënyrën se si po drejton Pentagonin.
Në një intervistë për rrjetin televiziv “ABC News”, Trump pranoi se ka marrë telefonata nga persona që kanë shprehur pakënaqësi për punën e Hegseth, por tha se nuk e kupton arsyen e kundërshtimeve.
“Jam plotësisht i vendosur që ta mbaj në detyrë”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump konfirmoi se, pavarësisht presionit dhe raportimeve për një zëvendësim të mundshëm, nuk ka ndërmend të ndryshojë drejtuesin e Departamentit të Mbrojtjes.
Ai pranoi gjithashtu se zgjedhja e një sekretari të ri do të ishte më e lehtë përpara janarit, kur demokratët pritet të marrin kontrollin e Senatit dhe të kenë më shumë mundësi të pengojnë konfirmimin e kandidaturave të propozuara nga administrata.
Një ditë më parë, Trump kishte hedhur poshtë zërat për largimin e Hegseth, duke deklaruar se ai po bënte “një punë shumë të mirë”.
Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, i cili theksoi se sekretari i Mbrojtjes nuk do të tërhiqet përballë kritikave politike.
“Sekretari Hegseth është 100% i përkushtuar për të drejtuar Departamentin deri në përfundimin e mandatit të presidentit Trump”, deklaroi Parnell.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance ka lidhur humbjet e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit me luftën kundër Iranit, duke e cilësuar atë si një nga arsyet kryesore të rezultatit elektoral.
Demokratët kanë kritikuar vazhdimisht ndërhyrjen ushtarake ndaj Iranit dhe mënyrën se si Hegseth ka menaxhuar operacionet ushtarake.
Humbjet elektorale të republikanëve kanë shtuar presionin ndaj administratës Trump, ndërsa demokratët përgatiten të marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit në janar. Ata kanë paralajmëruar gjithashtu hetime mbi vendimet e Pentagonit dhe menaxhimin e luftës me Iranin.


