Aktualitet

Tirana pasurohet, qarqet mbeten pas/ Kryeqyteti prodhon gati gjysmën e ekonomisë, Kukësi i fundit për PBB-në për frymë

Shqipëria po rritet ekonomikisht por jo të gjitha qarqet po ecin me të njëjtin ritëm.

Gati gjysma e ekonomisë prodhohet në Tiranë teksa në disa qarqe rritja mezi kap 1%. Të dhënat e INSTAT tregojnë se hendeku ekonomik mes kryeqytetit dhe pjesës tjetër të vendit mbetet i thellë.

Në vitin 2024 Tirana prodhoi 46.94% të gjithë Produktit të Brendshëm Bruto të vendit ndërsa rajoni Qendër përfaqësoi 52.87% të ekonomisë shqiptare. Por diferencat shfaqen edhe më qartë kur shohim sa prodhim ekonomik llogaritet për çdo banor.

Një banor i Tiranës dhe një banor i Kukësit jetojnë në të njëjtin shtet por PBB për frymë në qarqet e tyre ka një diferencë prej gati 1 milion lekësh. Tirana kryeson me 1 milion e 556 mijë lekë ndërsa Kukësi renditet i fundit me vetëm 568 mijë lekë.

Pas tij vijnë Dibra me 610 mijë dhe Berati me 613 mijë lekë. Në anën tjetër Durrësi regjistron 1 milion e 152 mijë lekë ndërsa Fieri kalon 1 milionin.

Por edhe ritmi i rritjes ekonomike është krejt i ndryshëm. Ndërsa ekonomia shqiptare u rrit me 4.03%, Tirana shënoi një rritje prej 7.08%, kundrejt vetëm 0.19% në Shkodër dhe 0.27% në Dibër.

Edhe Jugu dhe Veriu mbeten larg ritmit të Qendrës, me rritje përkatësisht 1.31% dhe 1.60% ndërsa Qendra u rrit me 6.43%.

Ekonomia shqiptare nuk ka vetëm një ritëm por edhe një hartë të pabarabartë zhvillimi. Tirana përqendron pjesën më të madhe të prodhimit, Jugu mbështetet fort te bujqësia dhe disa qarqe të Veriut mbeten në fund të renditjes për prodhimin ekonomik për frymë.

PBB sipas rajoneve:

Rajoni Veri                 21.68%

Rajoni Qendër            52.87%

Rajoni Jug                   25.45%

PBB për frymë sipas rajoneve:

Tiranë                                   1.556 mijë lek

Durrës                                   1.152 mijë lek

Fier                                         1.034 mijë lek

Vlorë                                      988 mijë lek

Gjirokastër                              877 mijë lek

Shkodër                                  777 mijë lek

Lezhë                                       723 mijë lek

Korçë                                       686 mijë lek

Elbasan                                     652 mijë lek

Berat                                        613 mijë lek

Dibër                                        610 mijë lek

Kukës                                      568 mijë lek

Ndarja e aktivitetit ekonomik sipas rajoneve:

Veri            Bujqësi

Qendër      Ndërtim

Jug             Bujqësi