Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti i ndodhur një ditë më parë në aksin rrugor Levan-Vlorë.
I moshuari, 72-vjeçar i cili mbeti i plagosur gjatë aksidentit, ka ndërruar jetë ditën e sotme, ndërsa në lidhje me ngjarjen, Policia ka arrestuar dy drejtuesit e automjeteve, 58 dhe 29 vjeç, të dy banues në Fier.
Sipas hetimeve paraprake, 58-vjeçari dyshohet se ka goditur fillimisht me pasqyrën e automjetit këmbësorin, B. Sh., banues në fshatin Levan. Pas goditjes, 72-vjeçari është rrëzuar në rrugë, ku më pas është përplasur nga një automjet tjetër, që drejtohej nga 29-vjeçari E. I.
Ky i fundit dyshohet se është larguar nga vendi i aksidentit pas përplasjes.
Si pasojë e plagëve të marra, 72-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve dhe ka humbur jetën ditën e sotme.
Ndërkohë, dy drejtuesit e automjeteve janë vënë në pranga, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.












