Kaloi gati një vit në burgun e Dubait për akuza droge, 23-vjeçarja britanike kthehet në shtëpi dhe nis karrierë të pazakontë
Aktori dhe komediani britanik, Russell Brand, është shpallur fajtor për përdhunimin e një gruaje dhe për tri raste të sulmit seksual ndaj katër grave të ndryshme. Ai përballet tashmë me një dënim të gjatë me burg.
51-vjeçari uli sytë dhe mbylli sytë në momentin kur juria shpalli vendimin për përdhunimin e një 21-vjeçareje, të cilën e kishte njohur pas një shfaqjeje të tij në teatrin Hammersmith Apollo, në vitin 2009.
Pas tetë orësh e gjysmë diskutimesh, juria e shpalli fajtor edhe për prekjen seksuale të një punonjëseje të MTV-së gjatë një feste në një lokal në Soho, në vitin 2004. Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm për akuzën se kishte kryer marrëdhënie seksuale orale me forcë ndaj saj në tualetin e lokalit.
Gjithashtu, Brand u shpall fajtor për sulm seksual ndaj një punonjëseje të Capital Radio-s, të cilën e kishte takuar në një korridor në vitin 2005. Në një tjetër rast, në vitin 2009, ai u shpall fajtor për sulm seksual ndaj një punonjëseje të Channel 4, gjatë një masazhi të kryer me detyrim.
Megjithatë, juria e shpalli të pafajshëm për dy akuza të tjera përdhunimi dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm. Bashkëshortja e tij, Laura Gallacher, e cila e kishte mbështetur gjatë gjithë procesit gjyqësor, u pa duke qarë në sallën e gjyqit, ndërsa mbante dorën e një personi pranë saj.
Përpara shpalljes së vendimit, Brand iu drejtua bashkëshortes duke i thënë: “Laura, të dua”.
Pas vendimit, ai u la në paraburgim dhe pritet të dëgjojë masën e dënimit të hënën, në Gjykatën e Southwark. Ndërkohë, është bërë e ditur se Brand është akuzuar edhe nga dy gra të tjera për përdhunim, përfshirë një vajzë 16-vjeçare në kohën kur dyshohet se ka ndodhur abuzimi. Prokuroria britanike po shqyrton mundësinë e ngritjes së akuzave të tjera penale ndaj tij.
Vajza, e identifikuar me pseudonimin “Alice” në dokumentarin e Channel 4, Dispatches, i cili publikoi fillimisht pretendimet ndaj Brand në vitin 2023, ka deklaruar se një automjet i BBC-së e kishte marrë nga shkolla dhe e kishte dërguar në shtëpinë e aktorit, ku më pas ishte abuzuar seksualisht.
Sipas dëshmisë së saj, në atë kohë Brand ishte 30 vjeç, ndërsa gjatë marrëdhënies tre mujore ai e thërriste “kukullëza ime”. Ajo pretendon se kishte përdorur forcë fizike për ta ndaluar atë nga një akt seksual i detyruar.
Akuzat ndaj vajzës 16-vjeçare nuk u shqyrtuan nga juria gjatë procesit aktual. Gjithashtu, të paktën dy gra të tjera kishin denoncuar abuzime seksuale nga Brand përpara gjyqit, por Prokuroria vendosi që çështja të kufizohej në gjashtë viktima. Tashmë po shqyrtohet mundësia e një procesi të dytë gjyqësor.
Brand përballet gjithashtu me padi civile në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një grua që kërkon 100 mijë paund dëmshpërblim për dëmet e pretenduara fizike dhe abuzimin seksual ka ngritur një padi në Gjykatën e Lartë britanike. Ajo pretendon se ishte 23 vjeçe kur Brand e sulmoi seksualisht në rezidencën e tij në Los Angeles, në vitin 2008.
Sipas pretendimit të saj, ai e kishte shtyrë drejt shtratit dhe kishte tentuar ta detyronte të kryente akte seksuale kundër vullnetit të saj. Një tjetër padi është ngritur në Nju Jork, ku një aktore figurante e filmit romantik Arthur, të vitit 2010, e akuzon Brand se kishte ekspozuar veten para pjesëtarëve të stafit dhe më pas e kishte sulmuar seksualisht në tualetin e xhirimeve.
Drejtuesi i hetimit, Andy Furphy, e cilësoi vendimin si një moment që mund të nxisë edhe gra të tjera të denoncojnë abuzimet seksuale.
“Vendimi i sotëm është, para së gjithash, dëshmi e guximit, qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së jashtëzakonshme të grave që dolën përpara dhe raportuan atë që u kishte ndodhur”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Brand kishte përdorur ndikimin, statusin dhe famën e tij për të shfrytëzuar gratë.
“Shpresoj që ky dënim të dërgojë një mesazh të qartë se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht se sa i famshëm apo i fuqishëm mund të jetë”, përfundoi Furphy.
Russell Brand i ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij. Vendimi i fundit shënon një zhvillim të rëndësishëm në çështjen penale që nisi pas publikimit të pretendimeve për abuzime seksuale në vitin 2023.
Top Channel