Fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona! Kështu e komentoi Kryeministri përmbajtjen e raportit të progresit, që iu dorëzua këtë të enjte në Kryeministri nga Ambasadorja e BE në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa. rama - Shqipëria po hyn në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Raporti tregon se krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton një përparim të rëndësishëm në një sërë fushash nga ekonomia dhe transformimi digjital, tek energjia, arsimi dhe përafrimi legjislacionit me standardet evropiane. Komisioni Europian vlerëson gjithashtu, një progres të mirë në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit, sikundër nënvizon faktin se SPAK ka vazhduar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate në misionin e tij. Kryeministri nuk shmangu pjesën e raportit ku flitet për protestat e muajve të fundit në vend dhe akuzat për dhunë joproporcionale të ushtruar nga policia.