Kryeministri Edi Rama bëri të ditur këtë të enjte se do të hapë një dritare dialogu online për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të bashkëbisedojnë me të për çështje që i konsiderojnë të rëndësishme. Gjatë një konference me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, Rama pretendoi se tre grupe studentësh janë penguar dhe kërcënuar, online dhe fizikisht, në përpjekjet për t’u takuar me të. Sipas kryeministrit, studentët janë bullizuar pasi emrat e tyre janë bërë publikë.
“Tri grupe studentësh janë kthyer pas me dhunë online dhe offline […] thjesht për të biseduar. Tri grupe studentësh me emra dhe mbiemra. Të dekonspiruar dhe pastaj të bullizuar në ekstrem”, u shpreh Rama. Kreu i qeverisë paralajmëroi masa ligjore, penale dhe administrative ndaj personave që përdorin kërcënime apo dhunë. “Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do të ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim”, deklaroi ai. Rama paralajmëroi gjithashtu reagim ndaj personave që bllokojnë rrugët apo ushtrojnë dhunë ndaj efektivëve të policisë.
Kurse ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, tha se institucionet duhet të krijojnë hapësirë për dialog për të adresuar pakënaqësitë popullore të shprehura përmes protestave në Tiranë. Moreira de Sousa u shpreh se dhuna nuk ka vend një demokraci dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin.
“Ishin shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore të majit, që më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë dhe llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin. Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike është të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog”, tha ambasadorja e BE-së.
Pyetje-përgjigje me gazetarët
– Pyetja e parë për ambasadoren. Zonja Ambasadore, ditën e djeshme në Bruksel u tha që Mali i ZI në 2028 mund të jetë vendi i 28 anëtar i Bashkimit Europian. Por, gjithashtu u tha që Shqipëria vitin e ardhshëm do të jetë në të njëjtin pozicion siç është sot Mali i Zi, me negociatat e mbyllura në 2027 dhe me traktin e anëtarësimit. Duke iu referuar këtyre pohimeve, a mund të themi që 2029 është viti kur Shqipëria do të jetë anëtare e BE nëse vendi ynë i plotëson reformat? Ndërkohë për kryeministrin Rama. Kryeministër duke përdorur fjalët tuaja ‘’yjet vijojnë të jenë të rreshtuara mirë për Shqipërinë”, por për qeverinë tuaj situata është pak më komplekse, pasi prej javësh, ju po përballemi me një protestë ku kërkohet dorëheqja juaj. Kësaj proteste i është bashkuar dhe një luftë e hapur brenda familjes suaj politike, ku kryebashkiaku i Tiranës, nga qelia e paraburgimit ju akuzon ju në mënyrë të drejtpërdrejtë që e keni kërcënuar për internim, i keni kërkuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë dhe të gjitha këto i keni bërë nëpërmjet ministrit të Drejtësisë. Me lejoni të jem e drejtpërdrejtë: a e keni kërcënuar ju zotin Veliaj dhe a mendoni që Veliaj është pas protestave? Faleminderit!
Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa: Po, është e vërtetë që Shqipëria mori dje pra Udhërrëfyesin orientues, të cilin siç e përmende, nuk ka më afate të tjera kohore apo gjëra të tjera shtesë, por që merr parasysh synimin e Shqipërisë, si dhe kalendarin që Shqipëria i ka caktuar vetes për t’u bërë shtet anëtar i BE. Pra, shkurt është e mundshme, por është punë shumë sfiduese. Kërkon shumë përpjekje dhe shumë pune sepse ajo pjesa e fundit është ai ritmi i fundit që ti duhet t’i japësh vetes dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e ligjeve, por me zbatimin e reformave, me diskutimet që duhet të bëhen me të gjithë shoqërinë shqiptare që të tregojë se çfarë janë këto reforma dhe siç e dini nuk kemi shumë kohë. Shqipëria deri më tani ka treguar që ka mundësinë të përballet me këto sfida dhe t’i arrijë ato, kështu që nuk kam arsye për të dyshuar. Pra kemi një kalendar të caktuar dhe gjithçka do të varet nga ritmi dhe mënyra se si do të miratohen këto reforma dhe se si do të vihen ato në zbatim. Është e rëndësishme që ky të jetë synimi i të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe meqenëse është i tillë, të gjithë qytetarët të jenë pjesë.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Së pari dua të them që Raporti i Progresit është në radhë të parë pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë së në çfarë forme është qeveria, lexon Raportin e Progresit dhe e ka aty ‘’dëftesën’’ e qeverisë, një dëftesë që mua më gëzon sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh të cilin për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe nga kanalet e dezinformimit publik.
Nga ana tjetër, dua të them që qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë siç e kam thënë dhe më parë, çdo ditë dhe kur them çdo ditë, çdo ditë me pikërisht, këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur këtu sot në këtë konferencë të posaçme shtypi, objektivi historik i bashkimit përfundimtar të vendit tonë me Europën dhe moslejimi i humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me jashtëzakonisht shumë punë, por dhe që është ndihmuar nga ai që unë e quaj dhe ju e cituat “rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë dhe të shqiptarëve’’. Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vinë nëpër bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju.
– Një pyetje fillimisht për ju, zoti Kryeministër, duke përmendur dhe duke cituar sigurisht Progres-raportin, Komisioni Evropian përmes Progres Raportit i ka cilësuar protestat që nisën në fund të majit dhe u përshkallëzuar në tetor, si një mobilizim të madh qytetar. A mendoni se jeni përgjigjur siç duhet këtij mobilizimi qytetar pa i injoruar apo anashkaluar apo duke cilësuar si nxitës të këtyre protestave edhe faktorë të jashtëm, apo vende të huaja? Dhe një pyetje tjetër, mendoni se kjo lëvizje mund të rrezikojë të kthehet në një lëvizje studentore si ajo e Serbisë? Dhe një pyetje për ju, zonja ambasadore. A mendoni se do të ndikojë në ecurinë e integrimit evropian të Shqipërisë, polarizimi politik, klima e ashpër politike dhe protestat në rast se do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm? Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Tani, se sa e ngjashme është Shqipëria me Serbinë dhe situata në Serbi me situatën në Shqipëri, këtë mund ta konstatoni duke krahasuar qëndrimin e BE ndaj ndryshimit në Serbi dhe ndaj ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria këtë vit. Pra, janë dy realitete që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët njëri me tjetrin, pavarësisht përpjekjes për t’i bashkuar në funksion të një agjende që nuk është agjenda e BE, nuk është agjenda e qeverisë dhe e shumicës qeverisëse. Është agjenda e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë. Për sa i takon pastaj mobilizimit të madh, unë e kam thënë vetë dhe kam bërë vetë dallimin midis protestave masive të fillim qershorit dhe degradimit më pas të bulevardit në një arenë “sorrash dhe korbash”, që nuk kishte se si të mos sillte tek dhuna sepse ishte e dhunshme, dhe pa qenë me gurë dhe me molotov në dorë kur parullë kishte “s”ka dialog, jep dorëheqjen”. Legjitime në demokraci që dikush ta mendojë kështu, totalisht ilegjitime të përdoret guri dhe zjarri në funksion të këtij mendimi, ndërkohë që në funksion të protestave masive ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për të adresuar ato që i kemi lexuar si arsye të mobilizimit qytetar. Hapa në drejtim të transparencës.
Me këtë rast kujtoj se kemi publikuar gjithçka lidhur me Zvërnecin dhe Sazanin dhe nuk kemi parë asnjë kontestim përmbajtjesor, pasi gjithçka është në anën tonë, për sa i takon procesit të ndjekur dhe ligjshmërisë dhe moralit të Republikës që ne përfaqësojmë në këtë proces. Më pas me buxhetin e ri kemi adresuar drejtpërdrejtë çështje, të cilat lidhen me anën ekonomike të shqetësimeve të njerëzve që nga realizimi i një zotimi të kahershëm të uljes së TVSH-së për shportën në 6% deri tek ulja e drejtpërdrejtë të çmimit të naftës në pompë me 32 lek duke ri spostuar taksën e qarkullimit tek automjeti dhe duke e nxjerrë nga përbërja e çmimit dhe të tjera gjëra që nuk po i numëroj këtu.
Kam dëgjuar që është quajtur kthimi tek e majta ideologjike. Këta nuk dinë se çfarë flasin. Nuk është kthimi tek e majta ideologjike, por është krijimi i mundësive për të rishpërndarë më shumë nga rritja e ekonomisë. Ajo që ka qenë prej kohesh objektivi dhe shqetësimi ynë kryesor, si të rishpërndajmë më shumë duke rritur më shumë ekonominë. Nuk e bën e majta dhe e djathta “vezën e kuqe”. Është vetëm ekonomia që na jep ose jo mundësitë dhe ekonomia jonë rritet ndryshe nga çfarë mund të thuhet rritja e saj na ka dhënë mundësinë që të ri shpërndajmë masivisht me një pakete të re që do të ishte totalisht e pamundur dhe ka qenë totalisht e pamundur në kushte të tjera. Pra mund të ishim të majtë ideologjikë larg qoftë, por nuk do e kishim pasur të mundur ta bënim këtë gjë dhe nëse do e kishim bërë do e kishim çuar ekonominë në kolaps. Kështu që, ky është realiteti i fakteve. Të tjerat janë si zhurmat e makinave këtu, shkojnë e vijnë.
Dhe në fund fare dua të them që unë i kam dëgjuar me më shumë vëmendje se të gjithë ju dhe se të gjithë të tjerët ata që kanë ardhur këtu poshtë çdo ditë. I kam dëgjuar sepse kam qenë dhe i detyruar t’i dëgjoj. Se ndërkohë që ata këtu poshtë ulërinin, shanin, kërcënonin dhe kërkonin dorëheqjen duke thënë pa pushim “s’ka dialog”, unë isha lart, duke punuar me zërin e tyre në sfond. Di ekzaktësisht gjithçka është thënë aty poshtë sepse është përsëritur kaq shumë saqë e kam mësuar përmendesh. Di dhe ato bejtet me muzikë dhe këngët fyese edhe të gjitha, por nuk kam marr dot shënim asnjë ide, asnjë program, asnjë opsion për Shqipërinë dhe përfitoj nga rasti i kësaj konference për t’i risqaruar të gjithë lidhur me atë që në asnjë rast, dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratisht dhe në kontratë me popullin nuk imponohet nga rruga, por në rastin tim ka dhe një specifikë tjetër, që është ky këtu.
Këtu kilometri i fundit i negociatave është i ndarë në 1000 metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 centimetra dhe çdo centimetër do njeriun mbi kokë të fushës përkatëse, do hyzmetin përkatës, do të bësh detyrën përkatëse sepse këtu është e shkruar e zeza mbi të bardhë; “mbyllja e negociatave në fund të 2027-s, është objektiv ambicioz, por i arritshëm”, por ky objektivi ambicioz nëse arrihet, arrihet duke u fokusuar centimetër për centimetër këtu, jo duke humbur mendjen mbas këngëve kërcënuese, molotovëve, gurëve dhe agjendave që s’kanë lidhje fare me këtë mision kombëtar.
Unë e di që është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e aktorëve të huaj në protestën e qershorit deri sot që flasim është reale. Dhe nuk isha unë apo nuk ishte një përfaqësues i institucioneve tona, por ishte një nga personalitetet e mirënjohur të Francës për ndërhyrjet malinje në vendet demokratike që para pak ditësh tha shprehimisht që “Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj lufte hibride”.
Unë nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por kam thënë që duart e regjimit kriminal të Teheranit janë atje në bulevard dhe janë me fakte. Dhe çuditërisht ushtria digjitale iraniane e identifikuar prej nesh si shumë aktive në shpërndarjen e videove me zogj, u shfaq aktive në goditjen që iu bë Parisit, kështu që këto janë fakte. Shkaku është këtu patjetër. Detyra jonë është të adresojmë shkakun, por nga ana tjetër të jemi të vetëdijshëm çfarë po bëjmë dhe të dëgjojmë njëri-tjetrin, të kuptojmë njëri-tjetrin, të shohim faktet, të pranojmë reciprokisht kush ka dhe kush s’ka të drejtë për këtë apo për atë, në vend të gëzohemi apo të entuziazmohemi për viralitetin që u jep videove tona ndërhyrja e atyre që nuk e duan Shqipërinë këtu. Nuk duan që Shqipëria të fokusohet këtu. Nuk duan që 2027-ta të mbyllet me sukses për Shqipërinë. Nuk duan që ne të merremi me centimetrat dhe me metrat e kilometrit të fundit, por duan që ne të merremi me historitë e panumërta që nxiten çdo ditë dhe pas të cilave rrotullohemi çdo ditë në një vorbull ku më lejoni tua u them gjëja më skandaloze, më e papranueshme, më e pajustifikueshme, më e turpshme ka qenë justifikimi në kor i dhunës. Faleminderit!
Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri , Sofia Moreira de Sousa: Sa i përket pyetjes që më bëtë mua dhe ritheksoj këtu atë që tha kryeministri, që procesi i integrimit dhe 2027, jemi në rrugën e duhur. Dje patëm Udhërrëfyesin orientues për ta konfirmuar këtë, por anëtarësimi nuk është thjesht vetëm një detyrë teknike dhe nuk do të thotë vetëm të miratosh ligje, por i përket të gjithë shoqërisë shqiptare dhe në raport Komisioni ka shpjeguar edhe mobilizimin më të madh qytetar që nga tranzicioni demokratik, ky qytetarët kërkojnë llogaridhënie dhe qeverisje të mirë. Dhe këto shqetësime janë në fakt në thelb të procesit të anëtarësimit. Pra, protestat paqësore janë e drejtë demokratike, por siç e thashë më parë, jo dhunë dhe dhuna nuk ka vend në jetën demokratike pavarësisht nga kush vjen. Ajo që mungon sot dhe ju e përmendet në pyetjen tuaj, duke iu referuar shoqërisë së polarizuar, ajo që mungon është dialogu. Dhe të gjitha palët pa përjashtim, duhet të bëjnë një përpjekje të vërtetë për ta filluar dialogun dhe ne duhet ta luftojmë këtë polarizim dhe kjo mund të bëhet vetëm me mënyra demokratike; me anën e institucione demokratike dhe duke gjetur mënyrat e duhura, në të cilat pakënaqësitë e qytetarëve të dëgjohen dhe të trajtohen, jo me anën e dhunës edhe një herë, por në një mënyrë që e gjithë shoqëria civile, mediat, akademikët, autoritetet dhe institucionet ta trajtojnë këtë polarizim dhe kur kjo të bëhet, kjo do të reflektohet në rrugëtimin e anëtarësimit. Pra, duke iu kthyer pyetjes suaj, protestat ne i kemi dhe në Europë në shumë shtete. E rëndësishme është që të kuptojmë cilat janë pakënaqësitë e qytetarëve dhe të gjejmë mënyra demokratike për t’i trajtuar ato.
Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë shumë faleminderit të gjithëve dhe siç e kam paralajmëruar, nesër ne do të “ndezim një tjetër dritare” në ekranet e kujtdo që është i interesuar, që është një dritare e dialogut, një dritare e dialogut që i ofrohet të gjithë atyre që duan të ndërveprojnë me mua, që duan të ndërveprojnë me qeverinë për çdo çështje që ata e shohin me rëndësi; një dritare e dialogut për studentët që kërcënohen nga pseudo studentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe që i çojnë mesazhe të dhunshme kujtdo që mendon ndryshe, sillet ndryshe apo që guxon për të hedhur hapin e dialogut. Tre grupe studentësh, tre janë kthyer mbrapsht me dhunë online dhe offline nga këta lloj pseudosh, në përpjekjen e tyre për të ardhur në takim me mua pa kamera, pa foto, pa njoftim shtypi, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh me emra dhe me mbiemra, të dekonspiruar, dreqi e merr vesh se si dhe pastaj të bullizuar në ekstrem.
Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë. Unë nuk jam më as student, as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe bashkë me studentët kam dalë kundër një regjimi real, jo regjimi imagjinar, vetëm për një arsye; për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua. Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe mbi rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim. Përkundrazi, do ta marrë përgjigjen hap pas hapi ligjërisht, siç po e marrin një nga një edhe penalisht edhe administrativisht. Edhe ata që ngrenë dorën kundër Policisë dhe kundër shtetit, edhe ata që bllokojnë rrugët se ashtu ju vjen atyre dhe ndërkohë nuk duan të dinë për mijëra e dhjetëra-mijëra të tjerë që janë në qytetin e tyre, janë në të drejtën e tyre të lëvizin lirisht në këtë qytet dhe janë në lirinë e tyre që të bëjnë atë që duan, të thonë atë që duan, të mendojnë atë që duan dhe të shkojnë aty ku duan.
Lexoni edhe:
Rama thirrje studentëve: Ju pres nesër, hapim platfomën online për dialog
Ambasadorja e BE: Dhuna nuk ka vend në demokraci, krijoni hapësirë për dialog
A do të jetë Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian në 2029? Përgjigjet ambasadorja e BE-së
Rama shpërfill akuzat e Veliajt: Janë si zhurmat e makinave në Bulevard
