Vendosni fjalën kyçe....

Dibër, shtylla elektrike zë poshtë elektricistin gjatë punës, humb jetën 60-vjeçari


Një ngjarje tragjike është regjistruar mesditën e kësaj të enjteje në fshatin Vasie, në zonën e Kalasë së Dodës në Dibër, ku një elektricist ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.

Viktima është identifikuar si Lulzim Shehu, rreth 60 vjeç. Sipas informacioneve paraprake, ai ishte duke punuar për vendosjen e një shtylle elektrike, kur gjatë ndërhyrjes shtylla është rrëzuar dhe e ka zënë poshtë.

Si pasojë e dëmtimeve të marra, 60-vjeçari ka ndërruar jetë në spital. Pas ngjarjes, trupi i tij është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Dibrës.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:45 të datës 5 nëntor 2026. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.