Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mospranimin nga ana e mazhorancës për ngritjen e Komisionit Hetimor për kompaninë shtetërore KAYO.
Në kërkesën e depozituar, deputetët kërkojnë shpalljen si antikushtetues të vendimit nr. 164/2026 të Kuvendit, përmes të cilit më 8 tetor mazhoranca rrëzoi projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor.
Opozita kërkon gjithashtu detyrimin e Kuvendit për ngritjen e këtij komisioni, i cili synon të hetojë ligjshmërinë e marrëveshjeve të bashkëpunimit të KAYO-s me palë të treta, procedurat e përzgjedhjes së partnerëve, si dhe aktivitetin e kompanisë dhe shoqërive të saj bija në prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, 41 deputetë të opozitës kanë argumentuar se është cenuar e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor, e cila nuk mund të mohohet apo të kufizohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare. Ajo është një e drejtë kushtetuese që çon detyrimisht në ngritjen e komisionit.
Kerkesa e plote
Në 8 Tetor 2026, mazhoranca rrëzoi me shumicë votash kërkesën e 41 deputetëve të opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor që kishte për objekt të veprimtarisë së tij: (i) Kontrollin e ligjshmërisë të marrëveshjeve të bashkëpunimit të lidhura ndërmjet shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., dhe palëve të treta; (ii) Verifikimin e procesit të përzgjedhjes, negocimit dhe miratimit të marrëdhënieve kontraktuale me subjektet tregtare të tjera; (iii) Kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të shoqërive mëmë “KAYO” sh.a., dhe shoqërive bija të saj, në drejtim të prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake; (iv) Verifikimin e procedurave për alokimin dhe përdorimin e fondeve nga Buxheti i Shtetit; (v) Verifikimin e dyshimeve për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve; (vi) Vlerësimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Atlantikut të Veriut (NATO); (vii) Identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e shoqërisë “KAYO” sh.a., shoqërive bija dhe fondeve publike, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale; (viii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, llogaridhënies, konkurrencës dhe transparencës në veprimtarinë e shoqërisë mëmë “KAYO” sh.a., dhe shoqërive bija të saj, në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës dhe mbikëqyrjes parlamentare.
Deputetët e opozitës i janë drejtuar sot me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese duke kundërshtuar mosmiratimin e Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjes së bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, monicioneve dhe pajisjeve ushtarake”.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, 41 deputetë të opozitës kanë argumentuar se është cenuar e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor, e cila nuk mund të mohohet apo të kufizohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare. Ajo është një e drejtë kushtetuese që çon detyrimisht në ngritjen e komisionit.
Për këtë arsye, është krijuar një konflikt kompetencash mes pakicës prlamentare (nënkupto 1/4 e deputetëve kërkues) dhe Kuvendit të Shqipërisë (nënkupto shumicën parlamentare) që duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese, duke vendosur:
– Detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit: “Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjes së bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, monicioneve dhe pajisjeve ushtarake”.
– Deklarimi i vendimit nr. 164/2026 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjes së bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, monicioneve dhe pajisjeve ushtarake””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Kjo për faktin se, sipas nenit 77 të Kushtetutës dhe vendimeve të shumta të Gjykatës Kushtetuese: (i) Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit, të cilat ngrihen për çështje të veçanta, të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit. Ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, kur kërkohet nga një e katërta e deputetëve, është e detyrueshme. (ii) Në një regjim parlamentar nuk është shumica ajo që vëzhgon qeverisjen, por kjo konsiderohet tashmë si detyrë e opozitës. Prandaj kjo e drejtë e pakicës për të ngritur komisione hetimore, e garantuar me Kushtetutë, duhet të mbetet gjithmonë e paprekur. (iii) Është e vërtetë që Gjykata Kushtetuese ka pohuar se e drejta për të ushtruar hetim parlamentar nuk mund të jetë e pakufizuar. Kufizimi i saj lidhet me detyrimin që objekti i hetimit të respektojë parimet dhe standardet kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka identifikuar një kusht gjatë procesit parlamentar, sipas të cilit shumica parlamentare, në rastet kur pretendon se cënohen standardet dhe parimet kushtetuese në objektin e hetimit, është e detyruar të propozojë formulime alternative, duke i dhënë mundësinë pakicës të riformulojë kërkesën e saj.
“Ne deputetët e pakicës parlamentare jemi të vendosur për të qëndruar të angazhuar në proceset demokratike brenda sistemit institucional, por nuk do të pajtohemi kurrë me asgjësimin e parlamentarizimit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese. Një vend që pretendon antarësimin në Bashkimin Europian, që cenon rregullat minimale të bashkëjetesës demokratike brenda Kuvendit, ku mazhoranca ka rolin e saj dhe opozita përgjegjësitë e saj, nuk mund të jetë asgjë më shumë se një propagandë e papërgjegjshme për një normalitet të rremë demokratik. Këtë realitet të rremë mund dhe duhet ta korrigjojë sistemi i garancive kushtetuese institucionale – ku rolin kyç e ka Gjykata Kushtetuese.” – thuhet në kërkesën e 41 deputetëve të opozitës.
Mazhoranca parlamentare ditë pas dite po e trajton Kuvendin si njëpartiak, dhe ku çdo vendimmarrje diktohet jo nga forca e arsyes/argumentit, por nga forca e kartonave të tyre. Ajo vazhdon të mohojë ushtrimin e cdo të drejte parlamentare të deputetëve të opozitës, duke i penguar ata në ushtrimin e përgjegjësive të tyre në mbrojtje të interesit publik. Deri më tani nuk është pranuar asnjë kërkesë e pakicës parlamentare për ngritjen e Komisioneve Hetimore. RaportProgresi i Komisionit Europian për vitin 2026 për Shqipërisë, e vlerëson këtë si shqetësim për mosfunksionimin demokratik të Kuvendit në kuadër të kontrollit parlamentar.
Rrëzimi me votë politike të mazhorancës i një të drejte kushtetuese të opozitës, e bën rolin e deputetëve të saj në Kuvend, jo thjesht të papërfillshëm, por mbi të gjitha fasadë e një normaliteti të rremë që vret cdo ditë rregullat dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik. Nëse opozita nuk diskuton dot në Kuvend çështje që kanë interes për qytetarët, nëse nuk ushtron dot kontroll ndaj qeverisjes, nëse nuk shtyn dot përpara miratimin e ligjeve/amendamenteve në interes të qytetarëve, nëse nuk përfillet në të drejtat e saj që ia njeh Kushtetuta e Shqipërisë, atëherë roli i saj në Kuvend është thjeshtë formal duke mos përmbushur përgjegjësitë e veta në një shoqëri demokratike dhe duke dëmtuar kështu sistemin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve, si garanci për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar.
Në përfundim, deputetët e opozitës kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin me përparësi të kësaj çështje.
Bashëklidhur do të gjeni kërkesën e plotë të depozituar në sot në Gjykatën Kushtetuese.
© SYRI.net
Shqiptaro-amerikani përballë SPAK: Braho, zbatoni ligjin ose dorëhiquni! Kërkon hetimin e Ramës dhe zyrtarëve të korruptuar
Berisha: Raporti i KE damkos Ramën, në krahasim me Malin e Zi, Shqipëria është diktaturë autoritare
Akuzoi Iranin, Rusinë... për protestat në Shqipëri/ Në prani të ambasadores së BE, Rama e mohon: Se kam thënë unë