Nga Enzo Schiavano, IL MATTINO
Aksident në vendin e punës dje në mëngjes në Casarano, në provincën e Lecce-s në Itali.
Një person humbi jetën pasi u shtyp nga një portë. Për të nxjerrë trupin e tij u desh ndërhyrja e zjarrfikësve. Në vendngjarje mbërritën gjithashtu ekipet e urgjencës mjekësore 118 dhe karabinierët. Ngjarja ndodhi në rrugën Via Comunale Palla.
Viktima është Bashkim Rushani, i lindur në Durrës, Shqipëri, 61 vjeç, banues në Casarano. Ai ishte pronari i firmës individuale Bashkim, që operon në sektorin e ndërtimit.
Gjatë punimeve në një banesë private, ai mbeti i shtypur nga rënia e një porte rrëshqitëse. Përpjekjet për ta shpëtuar rezultuan të kota.
Ai ishte shumë i njohur në Casarano. Babai i dy fëmijëve, me origjinë shqiptare dhe i ardhur nga Durrësi, ishte një nga mijëra bashkatdhetarët e tij që, në gusht të vitit 1991, mësynë anijet në portet shqiptare për të mbërritur në brigjet e Pulias, duke u larguar nga kriza e rëndë ekonomike që asokohe kishte pllakosur Shqipërinë.
Bashkimi arriti të realizonte ëndrrën për të ndërtuar një jetë në Evropën Perëndimore. U vendos në Casarano dhe nisi të punonte në sektorin e ndërtimit, fillimisht si punëtor krahu dhe më pas si sipërmarrës i pavarur. Shumë shpejt u specializua në punimet me kartonxhes, termoizolimin e fasadave të jashtme, lyerjen dhe suvatimin. Ishte një punëtor i palodhur, shumë serioz, gjithmonë i sjellshëm dhe shumë i aftë në profesionin e tij.
Por pasioni i tij i vërtetë ishte arti. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ai ishte piktor dhe skulptor. Kishte organizuar disa ekspozita personale dhe kishte marrë pjesë në ekspozita të përbashkëta, ndër të cilat edhe në “Festivalin e Kulturave Mesdhetare” në vitin 2014.
Një seri pikturash të tij, që paraqesin stacionet e Udhës së Kryqit të Jezu Krishtit, janë të ekspozuara në kishën e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, në rrugën Corso XX Settembre. Ishte dhurata e tij personale për një komunitet që e kishte mirëpritur pa hezitim.
Ai ishte i angazhuar edhe në veprimtari shoqërore, të cilat i zhvillonte së bashku me disa artistë të rrugës, miq të tij.
© SYRI.net
Shpërthen tritoli në një makinë në Elbasan, dëmtohet edhe një automjet tjetër
Nga Dumani, Hoxha e Alibej, SPAK lexon pretencën për të pandehurit e 'Plumbit të Artë', ja sa vite burg kërkon
FOTO/ Ky është 21-vjeçari shqiptar që vrau nënën e tij në Itali, fqinjët të tronditur nga ngjarja: Jemi pa fjalë