Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar ditën e mërkurë një aksion në qytetin e Sarandës, ku kanë ushtruar kontrolle në disa ambiente të lidhura me zv.kryetarin e Bashkisë, Elton Dauti.
Sipas raportimeve në media, agjentët janë paraqitur fillimisht në banesën e Dautit, ku kanë kryer kontrolle, ndërsa më pas kanë vijuar kontrolle dhe verifikime edhe në te ortaku i tij, Kostandin Papa si dhe në zyrat e kompanisë “Eco Taxi”, aktivitet që lidhet me Dautin dhe Papën.
Po ashtu, thuhet se tjetër pistë që po verifikohet nga agjentët e BKH-së është veprimtaria e trenave turistikë në zonën e Syrit të Kaltër, një prej destinacioneve më të vizituara turistike në jug të vendit.
Në qendër të verifikimeve është edhe leja e miratuar nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, për ushtrimin e këtij aktiviteti në zonën e mbrojtur të Syrit të Kaltër.
Hetuesit po shqyrtojnë procedurat që kanë paraprirë miratimin e lejes, dokumentacionin mbi të cilin është bazuar vendimmarrja, si dhe kushtet në të cilat është lejuar operimi i trenave turistikë.
Deri në këto momente nuk ka informacion të plotë mbi materialet apo dokumentet që mund të jenë administruar nga agjentët gjatë kontrolleve të zhvilluara në Sarandë.
Po ashtu, nuk është bërë e ditur nëse ndaj zv.kryetarit të Bashkisë, Elton Dauti, apo ortakut të tij, Kostandin Papa, janë marrë masa të tjera procedurale, përtej kontrolleve në banesë dhe në ambientet e biznesit.
Aksioni i BKH-së pritet të hedhë më shumë dritë mbi mënyrën se si është miratuar leja për trenat turistikë në Syrin e Kaltër, si dhe mbi rolin e personave dhe subjekteve që lidhen me këtë aktivitet.













