Gjykata e Posaçme rrëzoi dy kërkesa të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta për lejimin e regjistrimit dhe transmetimit live të seancës gjyqësore dhe qëndrimin e tij në sallë jashtë kafazit të xhamit.

Për mos lejimin e kamerave, gjyqtari Erion Bani tha se gjykata është shprehur njëherë. “Gjyqi është i hapur dhe publik – theksoi ai - dhe gazetarët janë të pranishëm”. Kujtojmë se me rregulloren e re në këtë gjykatë, si gazetarët ashtu edhe avokatët, nuk lejohen me celularë në sallë.

Ndërsa për kërkesën për daljen nga kafazi, avokati Bujar Musta kujtoi se në dy seanca të Apelit të Posacëm, Ilir Meta është lejuar të qëndrojë krahë mbrojtjes dhe se atëherë nuk u shpreh asnjë kundërshti as nga prokurorët që ishin të pranishëm. Por hetuesi i SPAK, Arben Kraja tha se e lë në vlerësim të gjykatës.

Avokati i Ilir Metës, Bujar Musta, ngriti një tjetër shqetësim në sallën e gjyqit. Ai tha se të gjitha takimet e tij në paraburgimin e 313-ës, me Metën, survejohen nga kamera që regjistrojnë.

“Të gjitha takimet e mia me të mbrojturin prej meje në paraburgim survejohen nga kamerat që regjistrojnë”, pretendoi Bujar Musta. 

Trupi gjykues, tha se këtë shqetësim do ia përcjellë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Seanca e radhës do të mbahet më 12 nëntor, kur dhe do të vijojë me kundërshtimet e Monika Kryemadhit për lobimin.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:47
‘Shumë e bukur kjo këmisha, me lule’, Kryemadhi batuta me gazetarët: Trëndafil PS-je, trëndafil PD-je (VIDEO)

 

Pas deklaratave të saj lidhur me seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme, Monika Kryemadhi shkëmbeu edhe disa batuta me gazetarët për veshjen e saj.

-Kjo këmisha shumë e bukur, me lule.

Monika Kryemadhi: Aaa, e kam me lule, me trëndafila. Trëndafil PS-je, trëndafil PD-je.

Ora 16:42
Gjyqi në GJKKO/ Kryemadhi: S’ka prova për kontratën për fibrën optike! Mungesë dokumentacioni në ekspertizën e deklarimit të pasurisë, kërkuam pavlefshmërinë (VIDEO)

 

Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme, Monika Kryemadhi thotë se akuzat e pretenduara ndaj saj për fibrën optike nuk qëndrojnë, ndaj kërkon thirrjen e dëshmitarëve, përfshirë Adrian Shatkun.

Sa për pretendimin se ka një kontratë midis dy kompanive për çështjen e interkonjeksionit, ish-deputetja thotë se s’ka asnjë shkresë që e vërteton.

“Sot unë pata të gjithë seksionin e interkonjeksionit, ato që vijnë si rezultat i eskpertimit të telefonit, ligjin e minierave dhe pjesën e deklarimit të pasurisë. Kërkova edhe thirrjen e dëshmitarëve që kanë lidhje me Adrian Shatkun, që janë pjesë e procesit për të cilin pretendohet nga organi i akuzës, një kontratë private midis dy kompanive private, të vijnë dhe të tregojnë ata se cili është sepse nga ana e dokumenteve shkresorë nuk ka asnjë dokument dhe asnjë provë, as edhe një mesazh që të vërtetojë atë që pretendon organi i akuzës. Meqë kanë një deduksion, do t’i japim një shpjegim edhe deduksionit dhe shpjegimin e deduksionit dhe e zgjidhin vetëm dy dëshmitarët dhe nga ana tjetër është edhe thirrja e Edi Ramës dhe Ministrisë së Inovacionit që ka qenë atëherë Milena Harito. Ajo thotë të vërtetën se s’ka ç’thotë, janë të gjitha shkresat me vulë e me firmë. Ndërkohë kërkon edhe për ligjin e minierave, Eduard Shalsin i cili ka qenë kryetar i komisionit për veprimtaritë prodhuese, thirrjen e Namik Koplikut, grupit të ministrisë së Industrisë”, tha Kryemadhi.

Mes dëshmitarëve të tjerë që Kryemadhi kërkon janë edhe Pirro Xhixho, Engjëll Agaçi, Ema Çoku, Marko Kazani, Përparim Spahiu, Aurora Alimadhi.

Ndërsa për deklarimin e pasurisë, Kryemadhi thotë se ekspertimit financiar i mungojnë dokumentet dhe për këtë ëshë kërkuar pavlefshmëria. Më tej, kritikon eksperten se ka informuar organin e akuzës.

“Sa i përket çështjes së analizës financiare ne kemi konstatuar mungesë dokumentacioni, të thirret ekspertja, cila është procedura dhe metodologjia që ajo ka përdorur, ne e kërkuam pavlefshëmërinë e ekspertizës. Nga ana tjetër ekspertiza financiare e ka të shkruar të zezë mbi të bardhë, kur ajo thotë në bazë të dokumentacioneve që na është dhënë nga organi i akuzës. Një eksperte financiare profesionale nuk mund të informojë organin e akuzës se deri ku shkojnë tabelat”, tha Kryemadhi.