Presidenti Bajram Begaj ka pritur këtë të enjte ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i ka dorëzuar progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026.
Gjatë takimit, kreu i Shtetit e vlerësoi raportin si dëshmi të avancimit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Europian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë, si dhe për politikat në mbështetje të zgjerimit të Bashkimit Europian në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në takim, kreu i Shtetit rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2030.
Në këtë drejtim, Begaj theksoi se vendi mbetet i përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e lirisë së medias.
Presidenti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të shtetit të së drejtës, funksionimit të institucioneve dhe dialogut demokratik, duke i cilësuar këto elemente thelbësore për realizimin e objektivit strategjik të integrimit europian.
Takimi vjen në kuadër të prezantimit të progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili evidenton arritjet e vendit në procesin e negociatave, por edhe sfidat që mbeten për t’u adresuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE.











