Ngjarja fillimisht u raportua si një sulm i mundshëm nga një ari, pasi familjarët pretenduan se 61-vjeçari ishte plagosur nga kafsha e egër. Ata e transportuan drejt spitalit të Bulqizës dhe njoftuan policinë, por Urim Fiku mbërriti pa shenja jete. Plagët e shumta në trup dhe dëmtimet në kokë ngritën dyshime te hetuesit, ndërsa trupi u dërgua në Tiranë për ekspertizë mjekoligjore, ku u konstatua një plagë e shkaktuar nga armë zjarri, konkretisht një plumb pistolete në gjoks.
Pas këtij zbulimi, hetimet morën një tjetër drejtim, ndërsa policia po punon për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të identifikuar personin që qëlloi ndaj 61-vjeçarit. Krahas bashkëshortes dhe djalit, pritet të merret në pyetje edhe një person tjetër i afërt me familjen. Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për autorësinë e krimit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Urim Fikut.