Sezoni aktual nuk po mbyllet në mënyrën më të mirë për George Russell. Piloti britanik i Mercedes e humbi betejën për kampionatin botëror ndaj shokut të tij të skuadrës Kimi Antonelli, që u shpall kampion për pilotë.
Për ta bërë situatën edhe më të rëndë, Russell nuk u paraqit në intervistat e zakonshme për mediat pas garës, pa dhënë asnjë shpjegim. Ndërsa pilotët e tjerë shfrytëzuan rastin për ta uruar Antonelli, piloti i Mercedes mungoi.
Megjithatë, ai më vonë e uroi shokun e tij të skuadrës përmes një postimi në profilin e tij në Instagram, ku shprehu gjithashtu zhgënjimin për rezultatet e dobëta dhe vargun e momenteve të pafat që ka përjetuar gjatë garave të këtij sezoni.
“Ndjej se ky është momenti i duhur për të folur nga zemra. Sezoni nisi pikërisht ashtu siç kisha shpresuar, por mori shpejt një kthesë për keq për shkak të fatit të keq dhe paraqitjeve zhgënjyese”, tha Russell.
Më tej, ai shkruan: “Ishte sezoni i parë i vërtetë në karrierën time ku pata më shumë ditë të këqija sesa të mira. A ishte e vështirë ta përballoja? Po, shumë madje. A ishte e vështirë të ngrihesha sërish në këmbë, javë pas jave? Po, jashtëzakonisht e vështirë. Momente hutimi? Shpesh”.
“Di vetëm se dhashë gjithçka që kasha. Duket qartë se viti 2026 thjesht nuk ishte i caktuar të ishte viti im. Dua ta përgëzoj sinqerisht Kimi për një sezon vërtet të jashtëzakonshëm. Titulli kampion është një arritje që e meriton plotësisht”, shtoi britaniku.
“Falënderoj ekipin që ndërtoi makinën më të mirë dhe njësinë më të mirë të fuqisë këtë sezon. Ishte një frymëzim i madh të shihje të gjithë të bashkonin forcat, gjatë katër viteve të vështira, për ta rikthyer Mercedes në krye”, tha Russell.
“Ajo që mund të premtoj është se për pjesën e mbetur të këtij sezoni dhe për sezonin e ardhshëm, do të jap maksimumin tim për t’u rikthyer në nivelin e performancës që kam shfaqur gjatë pjesës më të madhe të karrierës sime. Le të shpresojmë që të kem edhe pak fat në anën time”, përfundoi Russell.







