Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e Mt. Lebanon, në Pensilvani të SHBA-së, ku një baba dhe dy fëmijët e tij janë gjetur të pajetë pranë një parkingu shumëkatësh. Viktimat janë identifikuar si Patrick Lynch, 42 vjeç, vajza e tij Caroline, 6 vjeçe, dhe djali James, 8 vjeç.
Trupat u zbuluan më 3 nëntor, pak pas orës 16:00, pas ndërtesës së bashkisë. Të tre kishin pësuar dëmtime të rënda nga një rënie e dyshuar nga lartësia dhe u shpallën të vdekur në vendngjarje.
Ekspertiza mjekoligjore konfirmoi se dy fëmijët kishin humbur jetën nga dëmtime të shumta traumatike, duke i klasifikuar vdekjet e tyre si vrasje. Policia dyshon për një rast ku babai mund t’u ketë marrë jetën fëmijëve dhe më pas vetes, por rrethanat nuk janë përcaktuar përfundimisht.
Patrick Lynch punonte si shkencëtar i të dhënave, i specializuar në inteligjencën artificiale dhe mësimin automatik. Autoritetet shkollore dhe bashkia kanë shprehur tronditjen për ngjarjen, ndërsa policia ka paralajmëruar se tragjedia do të ketë pasoja të rënda emocionale për komunitetin dhe ekipet e ndërhyrjes. Hetimet vazhdojnë për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes së 42-vjeçarit.

