“Pasojat mund të ishin edhe më katastrofike”, shefi i zjarrfikëses në Elbasan: Viktimat humbën jetën nga shpërthimi, jo nga zjarri

Shefi i shërbimit zjarrfikës në Elbasan, Emirion Sota ka dhënë detaje mbi ndërhyrjen pas shpërthimit dhe zjarrit të rënë dje në një pallat në lagjen “Qemal Stafa”, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën 10 të tjerë. Ai deklaroi se pasojat mund të kishin qenë edhe më katastrofike, për shkak të dëmtimit të shkallëve dhe bllokimit të hyrjes së pallatit.
VIDEO- shefi i zjarrfikëses në Elbasan: Viktimat humbën jetën nga shpërthimi, jo nga zjarri
Sipas tij, njoftimi për shpërthimin mbërriti rreth orës 14:30, ndërsa në vendngjarje u nisën menjëherë mjetet zjarrfikëse dhe autoshkalla. Zjarri kishte përfshirë katin e tretë dhe të katërt të pallatit, çka bëri të nevojshme kërkesën për forca shtesë edhe nga bashkitë e tjera.
Sipas shefit të zjarrfikëses, të dy trupat e viktimave u gjetën nën rrënoja dhe dyshohet se personat kanë humbur jetën nga shpërthimi dhe jo nga zjarri. Ndërkohë, policia ka bërë me dije se paraprakisht shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.
“Marr shkas nga lloji i zjarrit dhe nga shpërthimi i fuqishëm, nga bllokimi i hyrjes së pallatit pasojat do të ishin ndoshta më katastrofike. Konfirmojmë se të dy trupat, të dy trupat e viktimave që janë gjendur brenda, brenda brenda pallatit janë gjendur nën rrenoja dhe dhe kanë humbur jetën nga shpërthimi, jo nga nga zjarri.”, tha shefi i zjarrfikëses Elbasan.
/vizionplus.tv




