Kurti kërkon nga BE-ja hapjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar progresin e vendit në fusha të ndryshme, duke u bazuar në gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Duke prezantuar arritjet e evidentuara në raport, në një konferencë për medie Kurti ka përmendur rritjen ekonomike prej 5.4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, rritjen e të hyrave buxhetore për 8.3 për qind, si dhe përmirësimin e ambientit të biznesit dhe reduktimin e ekonomisë informale.
Ai ka theksuar se është rritur edhe punësimi dhe pjesëmarrja në tregun e punës, ndërsa skema “Superpuna”, sipas tij, ka dhënë rezultate shumë të mira. Kurti ka përmendur edhe zgjerimin e mbulimit me shtesa për fëmijë, rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe shtimin e numrit të inspektorëve të punës në 120.
Në arsim, ai ka veçuar rritjen e regjistrimit të fëmijëve pesëvjeçarë në arsimin parafillor në 87 për qind, zgjerimin e arsimit dual në 16 profile dhe rritjen e buxhetit për kërkime shkencore për 85 për qind.
Kurti ka përmendur gjithashtu progresin në fushën e energjisë, mbrojtjen e mjedisit, tregtinë dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, përfshirë hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me EFTA-n.
Sa i përket procesit të integrimit evropian, Kurti ka thënë se Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat, ndonëse, sipas tij, ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Ai ka pranuar se bllokada institucionale e Kuvendit ka ndikuar në ngadalësimin e reformave dhe në vonesat për ratifikimin e marrëveshjeve të Planit të Rritjes, si dhe për miratimin e disa ligjeve.
Kreu i Qeverisë ka bërë me dije se institucionet do të vazhdojnë me miratimin e ligjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë, punën, sigurinë në punë, prokurimin publik dhe fusha të tjera, duke i cilësuar ato të rëndësishme për përafrimin e Kosovës me standardet evropiane.
Në fund, Kurti ka përsëritur kërkesën që Bashkimi Evropian t’ia dorëzojë Kosovës sa më parë pyetësorin për statusin e vendit kandidat dhe të marrë vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Ai ka theksuar se reformat do të vazhdojnë, pasi, sipas tij, rruga drejt anëtarësimit në BE kalon përmes tyre.
Duke folur për vlerësimet e raportit, Kurti ka theksuar se progresi i Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar është vlerësuar më mirë krahasuar me vitin e kaluar.
“Në luftën kundër krimit të organizuar niveli ynë është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se vitin e kaluar në reformën e administratës publike, në drejtësi, liri dhe siguri, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në statistika, në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe në lirinë e shprehjes”, theksoi Kurti.
Ai ka përmendur edhe proceset zgjedhore të mbajtura gjatë periudhës raportuese, duke thënë se Komisioni Evropian i ka vlerësuar ato si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë.
“Gjatë periudhës raportuese, këta 12 muaj të fundit, i kemi mbajtur tri palë zgjedhje, komunale në tetor të vitit 2025 dhe parlamentare në dhjetor të vitit 2025, e në qershor të vitit 2026. Komisioni i vlerëson të gjitha si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë. Përfaqësimi i grave në Kuvend arriti 34%. Mbi kuotën ligjore dhe gratë udhëheqin Kuvendin dhe shtatë nga 16 komisionet parlamentare”, ka thënë Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




