Një person i dyshuar si pjesëtar i një grupi kriminal të përfshirë në mashtrimin e të moshuarve është arrestuar nga autoritetet greke në Selanik. Grupi dyshohet se përdorte një skemë të mirëorganizuar mashtrimi për t’u marrë viktimave shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë.

Operacioni policor u zhvillua pas zbulimit të dy rasteve të mashtrimit në Selanik dhe Trikala, ku dy gra të moshuara kishin humbur gjithsej 21,200 euro, 46 monedha ari dhe bizhuteri me vlerë të përllogaritur rreth 60 mijë euro.

Sipas autoriteteve greke, i arrestuari është një shtetas i huaj, i cili dyshohet se bashkëpunonte me të paktën dy persona të tjerë, ende të paidentifikuar. Grupi kishte krijuar një mekanizëm mashtrimi që synonte kryesisht persona në moshë të thyer.

Skema niste me një telefonatë, gjatë së cilës autorët u komunikonin viktimave informacione të rreme, duke pretenduar se një familjar i tyre ishte përfshirë në probleme me autoritetet. Më pas, një tjetër anëtar i grupit telefononte duke u prezantuar si punonjës policie, me qëllim që historia të dukej e besueshme dhe viktimat të viheshin nën presion psikologjik.

Të frikësuara nga situata e krijuar, gratë e moshuara bindeshin të dorëzonin kursimet dhe sendet e tyre me vlerë.

Në njërin prej rasteve, autorët arritën ta bindnin një grua të vendoste 5,300 euro dhe bizhuteri brenda një qeseje, të cilën duhej ta linte poshtë një koshi mbeturinash pranë banesës. Sendet u morën më pas nga personat e përfshirë në mashtrim.

Në rastin tjetër, viktima dorëzoi 15,900 euro, 46 monedha ari dhe bizhuteri të ndryshme, vlera e të cilave arrinte në rreth 60 mijë euro. Këtë herë, autorët përdorën edhe një shofer taksie, të cilit gruaja i dorëzoi çantën sipas udhëzimeve të marra në telefon.

Taksisti, i cili sipas hetimeve nuk kishte dijeni për përmbajtjen e çantës dhe skemën kriminale, e transportoi atë drejt Selanikut për t’ia dorëzuar personit që më vonë u arrestua.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve të koordinuara të strukturave të specializuara kundër krimeve ndaj pronës, policia greke arriti të identifikonte dhe të ndalonte të dyshuarin.

Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan të gjitha shumat e parave dhe sendet me vlerë të përfituara nga dy rastet e mashtrimit, si dhe dy telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.

Paratë, monedhat e arit dhe bizhuteritë iu kthyen të dyja grave të moshuara.

Ndaj të arrestuarit është hapur një procedim penal për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe mashtrim, ndërsa ai pritet të dalë përpara autoriteteve kompetente të drejtësisë greke.

Hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe për të përcaktuar nëse grupi është përfshirë edhe në raste të ngjashme mashtrimi.