Personi që shikoni në foton e mësipërme është Eduart Dushku, i njohur ndryshe edhe si Edison dhe me nofkën “i forti i Saukut”, është 49-vjeçari që u arrestua këtë të enjte në Tiranë, pasi u kap duke transportuar një armë zjarri me motomjet në Rrugën e Elbasanit.
Dushku është një emër i njohur për policinë, pasi rezulton me precedentë penalë dhe është arrestuar disa herë ndër vite për vepra të ndryshme penale. Gjatë operacionit të fundit, të koduar “Eksponenti”, atij iu gjet një pistoletë me municion, të cilën dyshohet se do ta trafikonte.
Pas ndalimit të motomjetit, efektivët kryen edhe kontroll në banesën e 49-vjeçarit, ku gjetën një jelek antiplumb. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municioni, jeleku, motomjeti dhe telefoni celular.
Por kush është Eduart Dushku dhe çfarë dihet për të kaluarën e tij?
Sipas raportimeve në media, emri i Dushkut është përmendur ndër vite në disa çështje penale, përfshirë vrasje me dashje, armëmbajtje pa leje, shkatërrim prone me eksploziv dhe zjarr, dëmtime me dashje, dhunë në familje dhe kallëzim të rremë.
Një nga ngjarjet më të rënda me të cilat është lidhur emri i tij është vrasja e Avdulla Vrapit, e ndodhur më 22 gusht 2011, pranë zonës së Sanatoriumit në Tiranë. Dushku u arrestua në mars të vitit 2012 në lidhje me këtë ngjarje. Sipas raportimeve të kohës, ai u dënua me dy vite burg për këtë çështje.
Një tjetër episod i rëndësishëm në të kaluarën e tij lidhet me dy ngjarje të ndodhura në Sauk gjatë viteve 2014 dhe 2015. Bëhet fjalë për djegien e një automjeti tip “BMW”, në dhjetor 2014, dhe vendosjen e eksplozivit në një lokal, në shkurt 2015. Në shtator 2017, policia e arrestoi Dushkun, duke e akuzuar për përfshirje në këto dy ngjarje.
Në shkurt të vitit 2018, ai u arrestua sërish në Rrugën e Elbasanit, gjatë operacionit të koduar “Përsëritësi”. Në atë kohë, policia i gjeti një pistoletë të tipit TT me tetë fishekë. Arrestimi u krye pasi dyshohej se kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.














