Futbolli dhe brishtësia e tij… Nga Thomson te Jesús de Miguel, histori dhimbjeje dhe shprese

5 Nëntor 2026
9:56
Alfred Lleshi
back button

Futbolli ka njohur shumë tragjedi, kur përplasjet në fushë apo problemet e papritura shëndetësore e kanë shndërruar festën sportive në dhimbje. Vdekja e Jesús de Miguel, sulmuesit 30-vjeçar të Tenerifes, pas përplasjes së rëndë me portierin e Andorrës, rikthen në kujtesë histori të dhimbshme që kanë tronditur këtë sport.

TRAGJEDITË NË FUSHË

Një nga rastet e para të dokumentuara është ai i John Thomson, portierit 22-vjeçar të Celtic, i cili vdiq në vitin 1931, pas një përplasjeje me Sam English gjatë derbit kundër Rangers. Ai pësoi frakturë të kafkës dhe dëmtim të një arterieje. Në vitin 1969 humbi jetën Giuliano Taccola i Romës, ndërsa më 1977, Renato Curi, vetëm 24 vjeç, ndërroi jetë gjatë Perugia-Juventus.

Në vitin 2003, Marc-Vivien Foé u rrëzua pa ndjenja gjatë gjysmëfinales së Kupës së Konfederatave. Një vit më pas vdiq Miklos Feher i Benfica. Në vitin 2007, Antonio Puerta i Sevilla ndërroi jetë pas kolapsit në fushë. Futbolli italian u trondit sërish nga vdekja e Piermario Morosini më 2012, gjatë Pescara-Livorno, dhe e Davide Astori, kapitenit të Fiorentinës, i gjetur pa jetë në hotelin e skuadrës.

ATA QË SHPËTUAN MREKULLISHT

Disa futbollistë iu kanë mbijetuar përplasjeve dramatike. Giancarlo Antognoni pësoi frakturë të kafkës dhe arrest kardiak për rreth 30 sekonda gjatë Genoa-Fiorentina. Ai u shpëtua falë ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore.

Në Botërorin 1982, francezi Patrick Battiston u godit rëndë nga portieri gjerman Harald Schumacher, duke pësuar frakturë të nofullës, humbjen e tre dhëmbëve dhe dëmtime të rruazave të qafës. Në vitin 2006, Petr Cech pësoi frakturë të kafkës pas përplasjes me Stephen Hunt. Pas një operacioni urgjent, u rikthye në futboll duke mbajtur mbrojtëse.

John Terry humbi ndjenjat dhe pësoi ndalim të frymëmarrjes pas një goditjeje aksidentale nga Abou Diaby në finalen e Kupës së Ligës më 2007. Në vitin 2017, portieri çek Berkovec u shpëtua nga sulmuesi Francis Kone, i cili ndërhyri menjëherë kur kuptoi se po i bllokohej frymëmarrja.

Fernando Torres, David Ospina, Raúl Jiménez dhe Rodrigo Bentancur janë gjithashtu mes futbollistëve që kanë pësuar trauma të rënda në kokë gjatë ndeshjeve.

KUR NDËRHYRJA E SHPEJTË BËN DALLIMIN

Në vitet e fundit, Christian Eriksen dhe Edoardo Bove i kanë shpëtuar vdekjes pas episodeve të rënda shëndetësore në fushë, falë ndërhyrjes së shpejtë të stafit mjekësor.

Janë histori që na kujtojnë se, përtej rezultateve, trofeve dhe rivaliteteve, futbolli përbëhet nga njerëz. Kur topi ndalon së rrotulluari, gjithçka tjetër humbet rëndësinë. Mbeten dhimbja për ata që humbën jetën duke ndjekur pasionin e tyre dhe mirënjohja për ata që patën mundësinë të nisin një jetë të dytë.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit