Është shtyrë seanca në Gjykatën e Posaçme për ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili kërkon parashkrimin e dënimit me dy vite burg.
Shkak për shtyrjen e seancës është bërë kërkesa e prokurores së Posaçme të SPAK, e cila pas dëgjimit të parashtrimeve kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e referuara në këtë proces. Për këtë arsye, gjykata vendosi të shtyjë shqyrtimin e çështjes dhe seanca e radhës është caktuar të mbahet më 16 nëntor, në orën 08:30.
Adriatik Llalla u dënua me dy vite burg në 2021 për deklarim të rremë të pasurisë. Megjithatë, vendimi nuk u ekzekutua, pasi ish-kryeprokurori u largua jashtë vendit.
Përmes kërkesës së tij, Llalla kërkon që dënimi me dy vite burg të konsiderohet i parashkruar, duke argumentuar se kanë kaluar afro pesë vite nga vendimi gjyqësor.














