Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë, në rend dite tri projektligje dhe raporti i auditimit për 2025-ën



Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë sot një seancë plenare, e cila pritet të nisë në orën 12:00. Sipas njoftimit zyrtar, në rendin e ditës janë përfshirë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, emërimet në komisionet parlamentare dhe shqyrtimi i disa projektligjeve.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, për të vijuar me deklarimet e deputetëve dhe pyetjet parlamentare drejtuar përfaqësuesve të institucioneve.

Më pas, deputetët do të shqyrtojnë propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe do të votojnë fushëveprimin e tyre për Legjislaturën e XI-të.

Një tjetër pikë e rëndësishme e seancës është shqyrtimi i parë i tri projektligjeve: atij për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, për Regjistrimin e Bujqësisë dhe për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Në përfundim, Kuvendi do të shqyrtojë raportin e Auditorit të Përgjithshëm për auditimin vjetor të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.