Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, po mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat për progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
Një ditë më parë Komisioni Europian vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, pavarësisht disa shqetësimeve për funksionimin e demokracisë dhe mungesën e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë.
Komisioni vlerësoi me nota të mira punën e SPAK dhe organeve të drejtësisë, ndërsa kritikohen qartësisht përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë prokurorinë e Posaçme, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve.
Institucioneve të Drejtësisë u kërkohet me ngulm që të punojnë për plotësimin e vendeve vakante në sistem, të cilat kanë pasoja mbi vonesat në trajtimin e çështjeve për gjykim
Sipas raportit të progresit Paraburgimi vazhdon të mbetet masa kryesore shtrënguese që vendoset gjatë hetimeve dhe në pritje të gjykimit. Institucionet përkatëse duhet të marrin masa për të garantuar përdorimin më të mirë të masave alternative ndaj paraburgimit. Sa u përket protestave në kryeqyet, KE u kërkon të gjitha palëve të angazhohen në dialog konstruktiv.
Lajm në përditësim...

Kryeministri Edi Rama e cilësoi progresraportin e Komisionit Europian si më të mirin që Shqipëria ka marrë ndonjëherë. Në konferencën e përbashkët me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, Rama tha se vendi ka hyrë në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim.
“Raporti më i mirë i progresit që Shqipëria ka marrë në dorë ndonjëherë, çka tregon edhe këmbën tuaj të mbarë në misionin e përfaqësimit të BE-së në Shqipëri. Për një kohë të gjatë, rrëfimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë është përcaktuar nga çfarë ne prisnim të ndodhte. Statusi i kandidatit: po, jo, kur? Hapja e negociatave: po, jo, kur? Miratimi i piketave të ndërmjetme: po, jo, kur?
Sot, ky raport i publikuar dje nga KE përcakton një rrëfim të ri. Jo më mbi atë që ne presim të ndodhë, por mbi hapat që duhet të hedhim për ta kryer këtë rrugëtim. E thënë ndryshe, fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona. Ky është lajmi kryesor i raportit. Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE. Ky kilometër i fundit ka një mijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer.
Raporti tregon se, krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton përparim nga ekonomia, transformimi digjital, energjia, arsimi dhe përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së", tha Rama,
Ambasadorja e BE-së i ka dorëzuar sot kreut të qeverisë Edi Rama progres-raportin e KE-së për Shqipërinë.
Një ditë më parë Komisioni Europian vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, pavarësisht disa shqetësimeve për funksionimin e demokracisë dhe mungesën e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa e cila i dorëzoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Gjatë takimit, kreu i shtetit e vlerësoi progres-raportin si dëshmi të avancimit të vendit në procesin e integrimit evropian dhe si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe politikën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
Ai rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Në fokus të diskutimit ishte edhe vijimi i reformave, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e lirisë së medias.
Begaj theksoi gjithashtu se respektimi i shtetit të së drejtës, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik mbeten elementë thelbësorë për përmbushjen e objektivit strategjik të integrimit evropian.











Komente
Komento