Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja ka dhënë detaje mbi situatën në apartamentin e përfshirë nga zjarri në Elbasan ku një pjesë e godinës pësoi dëmtime të rënda strukturore. Ai bëri me dije se zjarri është shuar, ku theksoi se të gjitha familjet janë evakuuar.
Llatja informoi gjithashtu se një pjesë e banorëve janë strehuar te të afërmit dhe të tjerët në konviktet e studentëve në Elbasan.
Për vlerësimin e dëmeve dhe sigurinë e godinës pritet edhe ndërhyrja e specialistëve të Institutit të Ndërtimit.
“Zjarri është fikur, ndërsa kërkimet vijojnë nga strukturat e Emergjencave Civile dhe grupet e kërkim-shpëtimit. Aktualisht, të gjitha familjet janë evakuuar dhe nuk ka asnjë familje në pallat. Pjesa më e madhe e banorëve janë strehuar te të afërmit, ndërsa pjesa tjetër në konviktet e studentëve në Elbasan.
Pritet që në terren të mbërrijnë edhe strukturat e Institutit të Ndërtimit për të verifikuar gjendjen e strukturës së pallatit në tërësi. Sipas vlerësimeve paraprake të inxhinierëve, njëri prej sektorëve është bërë i pabanueshëm, por problematika strukturore janë konstatuar edhe në pjesën tjetër të pallatit.”- u shpreh Llatja.










