
Një prej teleskopëve më të rëndësishëm hapësinorë të NASA-s është rikthyer në atmosferën e Tokës dhe është shkatërruar pjesërisht gjatë rënies, gati 22 vjet pas lëshimit në hapësirë. Fundi i misionit të observatorit Neil Gehrels Swift erdhi pas dështimit të një përpjekjeje për ta shpëtuar atë nga rënia e orbitës, përcjell DW.
Sipas agjencisë amerikane të hapësirës, observatori pa pilot hyri në atmosferën e Tokës të mërkurën, në orën 07:39 sipas kohës lindore të SHBA-së (12:39 UTC), mbi rajonin e Sumatrës Veriore në Indonezi.
NASA bëri të ditur se pjesa më e madhe e anijes pritej të digjej gjatë kalimit në atmosferë, ndërsa disa prej komponentëve mund t’i kenë mbijetuar rihyrjes. Deri tani nuk janë raportuar dëme në tokë si pasojë e rënies së saj.
Observatori Swift, i pajisur me tre teleskopë, u lëshua në orbitë në vitin 2004. Misioni i tij fillestar ishte të studionte shpërthimet e rrezeve gama, ndër çlirimet më të fuqishme të energjisë në univers, për një periudhë dyvjeçare.
Megjithatë, observatori e tejkaloi ndjeshëm jetëgjatësinë e parashikuar dhe qëndroi në funksion për gati 22 vjet, rreth 11 herë më gjatë se plani fillestar.
Me një peshë prej rreth 1,452 kilogramësh dhe një kosto prej 500 milionë dollarësh, Swift kontribuoi në studimin e qindra shpërthimeve të supernovave, vrimave të zeza që shkatërrojnë yje, shpërthimeve të rrezeve X nga yjet, si dhe asteroidëve e kometave.
Të dhënat e mbledhura nga observatori kanë shërbyer si bazë për afro 7 mijë punime shkencore të publikuara.
Rënia e observatorit nga orbita u përshpejtua pjesërisht nga stuhitë e fuqishme gjeomagnetike, të shkaktuara nga shpërthimet diellore, megjithëse vetë pajisja ishte ende në gjendje të mirë.
Në korrik, NASA bashkëpunoi me kompaninë private Katalyst Space për një mision që synonte të ngrinte lartësinë orbitale të observatorit dhe të zgjaste funksionimin e tij.
Anija robotike e mirëmbajtjes LINK, e pajisur me tre krahë, u përball me probleme në kontrollin e orientimit menjëherë pas mbërritjes në hapësirë dhe nisi të rrotullohej në mënyrë të pakontrolluar.
Mjeti i shpëtimit u rikthye në Tokë në shtator, ndërsa observatori Swift ndërpreu operacionet më 20 tetor. Pak javë më vonë, edhe vetë teleskopi përfundoi rënien e tij në atmosferën e Tokës.