Përplasja Rama-Veliaj del hapur, analistët paralajmërojnë krizë dhe betejë të brendshme për pushtet në PS

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duket se ka kaluar çdo kufi të përballjeve të brendshme politike, duke u shfaqur tashmë publikisht.

Veliaj, përmes reagimeve të bëra nga qelia, ka kritikuar dhe akuzuar Ramën, ndërsa ka deklaruar se gëzon më shumë dinjitet se kryeministri. Tonet e përdorura prej tij kanë rikthyer në vëmendje marrëdhënien e dikurshme të afërt mes dy figurave dhe kanë nxitur diskutime mbi të ardhmen e Partisë Socialiste.

Të lidhura

None found

Rasti ka hapur debate për përçarjet në PS, betejën për kontrollin e partisë dhe shtetit, si dhe pasojat që kjo përplasje mund të ketë në skenën politike. Një nga pyetjet kryesore që shtrohet është nëse konflikti Rama-Veliaj përbën shenjën e parë të një krize më të gjerë brenda forcës në pushtet.

Image

Rexhep Shahu: PS po rrënohet nga brenda

Publicisti Rexhep Shahu, në një përgjigje për “Bota sot”, ka kritikuar mënyrën e qeverisjes së Edi Ramës, duke e krahasuar atë me praktikat e Enver Hoxhës.

Sipas Shahut, arrestimi i disa figurave të Partisë Socialiste dhe përplasja e fundit me Erion Veliajn tregojnë për shkallën e ndarjeve që ekzistojnë brenda kësaj force politike.

Image

“Partia Socialiste po vijon traditën e saj të kërkimit të grupeve armiqësore brenda radhëve. Tani Rama po vepron si Enveri: po identifikon grupe armiqësore dhe po i ndëshkon. Shumë figura socialiste kanë përfunduar në burg. Erion Veliaj është një peshë e rëndë, pasi ka qenë ndër njerëzit më të afërt të Ramës.

Shpresa është që PS po shembet nga brenda”, është shprehur Shahu.

Xhevat Mustafa: Përplasja Rama-Veliaj, një duel i ri në “xhunglën” e PS-së

Opinionisti Xhevat Mustafa e sheh konfliktin mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt si një betejë që lidhet jo vetëm me raportet personale, por edhe me pushtetin dhe ndikimin brenda Partisë Socialiste.

Ai e konsideron shqetësuese vizitën e ministrit Toni Gogu në qelinë e Veliajt dhe e lidh këtë episod me atë që e quan diktatorizim dhe enverizim të qeverisjes së Ramës.

“Shkak ose arsye për konfliktin e ri mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt është bërë vizita e ministrit Toni Gogu në qelinë e Veliajt, në burgun e Fierit, gjatë mbrëmjes së vonë të 30 tetorit 2026. Përplasja, e zhvilluar me tone shumë të ashpra dhe jo si një debat mes ish-miqsh të vjetër, ka bërë që shqiptarë dhe ndërkombëtarë të shtrojnë një sërë pyetjesh.

A po zgjerohet përçarja në Partinë Socialiste? Bëhet fjalë për një konflikt personal mes dy figurave apo për një përballje më të gjerë për pushtetin dhe ndikimin brenda PS-së? Përse gjithnjë e më shumë persona që dikur ndodheshin pranë Edi Ramës po përfundojnë në burg ose nën hetim dhe më pas i kthejnë shpinën?

A kemi të bëjmë me një përplasje mes dy “këlyshëve” të Enverit apo të Xhorxh Sorosit, në luftën për fronin në PS dhe në shtet, për të përcaktuar se kush do të jetë mbreti? Apo është një lojë e pistë dhe ordinere politike, ku secila palë kërkon të fitojë me çdo mjet për të bërë çfarë të dojë me vendin dhe popullin?

Ose kryeministri është bindur se duhet ta zëvendësojë “kartën e djegur” apo të njollosur në mënyrë të pariparueshme, Erion Veliajn, me Arbër Hajdarin, birin e një miku dhe dhëndër i Devollëshve të Kosovës, me lidhje, miqësi dhe kredi të forta brenda e jashtë Kosovës, deri në Beograd, Moskë dhe Shtëpinë e Bardhë?”

Mustafa e cilëson ngjarjen në burgun e Fierit një skandal që duhet të shqetësojë shoqërinë shqiptare. Sipas tij, episodi është një tjetër dëshmi e diktatorizimit dhe enverizimit të Edi Ramës.

“Kjo ngjarje nuk është vetëm një skandal, por edhe një arsye që i gjithë populli dhe shoqëria të tronditen e të shqetësohen. Ajo tregon sërish diktatorizimin dhe enverizimin e Edi Ramës. Nëse një figurë politike dhe një zyrtar që është ligjërisht në detyrë trajtohet në këtë mënyrë, atëherë mund të mendohet se si sillen njerëzit e Ramës, pra vartësit e tij, me një opozitar, me një mendimtar ndryshe brenda ose jashtë PS-së dhe me një qytetar të thjeshtë që nuk është mbështetës apo votues i saj”, deklaron ai për “Bota sot”.

Sipas Mustafës, Veliaj nuk po kërkon më vetëm shpjegime për transferimin nga një burg në tjetrin, por po kërkon llogari drejtpërdrejt nga kryeministri. Ai vlerëson se postimi i bërë pasditen e 2 nëntorit 2026 e nxori përplasjen në dritë të diellit.

“Nga një vëzhgim më i thellë kuptohet se Erion Veliaj nuk po kërkon më vetëm sqarime për mënyrën se si është trajtuar, si një top futbolli ose basketbolli, veçanërisht për kalimin e tij nga një burg në tjetrin. Ai po kërkon llogari nga Edi Rama.

Me postimin e pasdites së 2 nëntorit 2026, konflikti i tyre u bë publik. Kjo çështje nuk lidhet vetëm me fatin politik dhe jetësor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, detyrë që ai po e ushtron paradoksalisht më shumë falë tolerancës ligjore të Edi Ramës sesa për shkak të një funksionimi normal të institucioneve. Qeverisja dhe shteti i Ramës duken si një treg informal ku ligjet, kompetencat, vendimet dhe të drejtat shkëmbehen njësoj si perimet dhe frutat e stinës në tregjet fshatare të shesheve dhe trotuareve.

Veliaj pretendon se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë takimit të premten vonë, rreth orës 22:30 e më pas, i ka përcjellë tri kërkesa: të pranojë përfshirjen në protestat studentore, të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe të ndërpresë këshillimin me avokatin e tij.

I vënë nën presion nga Veliaj dhe nga mediat që ishin njoftuar prej tij, ministri Gogu u detyrua të ishte vetëm pjesërisht i sinqertë. Ai konfirmoi se takimi kishte ndodhur, por mohoi përmbajtjen e bisedës siç e kishte paraqitur Veliaj.

Logjika të çon më shumë drejt besimit te Veliaj sesa te Gogu. Nëse ministri e pranon se ka shkuar ta takojë në mbrëmjen e 30 tetorit 2026, pas orës 22:30, nuk ka shumë vend për dyshime apo hipoteza. Ministri i Drejtësisë, në stilin e Edi Ramës, mund të ketë shkuar në rastin më të mirë për të negociuar dhe në rastin më të keq për ta kërcënuar Erion Veliajn.

Shumëkush pyet përse një takim i tillë u zhvillua në një orë kaq të vonë dhe në një ditë të mbushur me probleme, dilema dhe rreziqe për Edi Ramën. Përse Gogu nuk shkoi disa ditë ose javë më herët? Përse vizita u bë pikërisht pasi në media, përfshirë edhe shkrimet e mia në “Bota sot”, ishte ngritur dyshimi që prej fillimit të protestave, në fund të qershorit, se përveç faktorëve të tjerë vendas e të huaj, protestuesit kishin edhe tifozllëkun dhe mbështetjen e shumëanshme të Erion Veliajt?”, shprehet Mustafa.

Opinionisti mendon se kjo përballje ka sjellë pasiguri edhe në radhët e socialistëve, të cilët ndodhen përballë dilemës nëse duhet të mbështesin partinë dhe Veliajn apo të qëndrojnë pas çdo vendimi të kryetarit dhe kryeministrit.

“Sherri, dueli dhe skandali i ri Rama-Veliaj i kanë vendosur socialistët në një situatë të vështirë. Ata duhet të zgjedhin nëse do të mbështesin partinë dhe Erion Veliajn apo do të mbrojnë çdo vendim të kryetarit dhe kryeministrit, edhe kur ai abuzon me pushtetin e plotë, gabon, tregohet shumë autoritar dhe hakmarrës ndaj atyre që i dalin kundër, ndërsa shfaqet si ‘engjëll mbrojtës’ ndaj Olta Xhaçkës, Linda Ballukut, Frida Krifcës, Mirela Kumbaros, Ogerta Manastirliut, Taulant Ballës dhe të tjerëve.

Deri tani, Edi Rama është përballur me menaxhimin e skandaleve në qeverisje, protestat në rrugë dhe opozitën në Parlament. Tani ai po përballet edhe me akuza publike nga një prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, me të cilin ka kryer punë të panumërta. Megjithatë, ende nuk mund të përcaktohet nëse në peshoren e drejtësisë rëndojnë më shumë veprimet e mira apo ato të këqija dhe të dënueshme.

Edhe për Erion Veliajn kjo përballje mbart rreziqe dhe pasoja që mund të jenë të parashikueshme, por edhe të pamundura për t’u parashikuar apo shmangur pa dëme. Ai mund të arrijë lehtësim të kushteve në burg dhe respektim më të madh të të drejtave të tij, por në të njëjtën kohë ka humbur pjesë të konsiderueshme të simpatise, vlerësimit dhe mbështetjes në PS.

Veliaj është mjaftueshëm i zgjuar për të kuptuar dhe parashikuar shumicën e pritshmërive për të ardhmen e tij. Në këtë drejtim e ndihmon edhe njohja e thellë që ka për Partinë Socialiste. Zhvillimet e fundit duhet t’u rikujtojnë të gjithëve një të vërtetë të vjetër: dëmi që të shkakton lufta brenda llojit, në shumicën e rasteve, nuk të shkaktohet as nga kundërshtarët e vërtetë, me të cilët ke vite që përplasesh në parlament, media dhe salla të ndryshme.

Edhe Edi Rama duhet ta ketë parasysh se konflikti me dikë me të cilin ke ndarë pushtet, sekrete dhe abuzime është shumë më i rrezikshëm. Një person i tillë mund të dijë vendime, veprime dhe punë të paligjshme apo inkriminuese, për të cilat dorëheqja, duke mbetur qytetar i lirë, do të ishte ndëshkimi më i lehtë dhe më i padrejtë për të si njeri, qytetar, politikan dhe zyrtar i lartë”, përfundon Xhevat Mustafa për “Bota sot”.


Shtuar më 5.11.2026 08:14