Thellohet bilanci tragjik i shpërthimit të fuqishëm që tronditi qytetin e Elbasanit mesditën e së mërkurës. Pas më shumë se 17 orësh kërkimesh të pandërprera, është gjetur i pajetë nën rrënojat e pallatit 69-vjeçari Hamit Ibra, i cili rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit.

Gjetja e trupit të të moshuarit shënon një tjetër humbje jete në këtë ngjarje të rëndë, e cila ka tronditur banorët e lagjes “Beqir Dardha” dhe mbarë qytetin e Elbasanit. Më herët, si pasojë e shpërthimit, humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.

Menjëherë pas shpërthimit, në pallatin e dëmtuar rëndë u angazhuan shërbimet zjarrfikëse, strukturat e emergjencave civile dhe Policia e Shtetit. Për shkak të kompleksitetit të situatës dhe rrezikshmërisë së lartë që paraqiste godina, në ndihmë të ekipeve vendore mbërritën edhe Forcat e Armatosura.

Në operacion u përfshinë dy ekipe të specializuara kërkim-shpëtimi, me gjithsej 17 efektivë, të cilët punuan gjatë gjithë natës për lokalizimin e 69-vjeçarit.

Për realizimin e operacionit u përdorën pajisje dhe mjete të specializuara, përfshirë kamera termike, kamera kërkimi, pajisje për prerjen e betonit dhe jastëkë ajri për ngritjen e strukturave të rënda.

Ndërhyrja u krye me kujdes të jashtëzakonshëm, pasi shpërthimi kishte shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në strukturën e pallatit, duke krijuar rrezik të vazhdueshëm për efektivët e angazhuar në terren.

Që në momentet e para pas marrjes së njoftimit, Shërbimi Zjarrfikës i Elbasanit ndërhyri me pesë mjete dhe 25 punonjës, duke u përballur me një situatë tejet emergjente.

Falë reagimit të menjëhershëm, u bë i mundur evakuimi i më shumë se 10 banorëve nga katet e larta të pallatit, mes tyre të moshuar dhe fëmijë. Për nxjerrjen e tyre në siguri u përdor edhe shkalla e emergjencës.

Ndërkohë, banorët që pësuan asfiksi të lehtë morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, pas trajtimit, u rikthyen pranë familjarëve të tyre.

Sipas informacionit të bërë publik nga strukturat zjarrfikëse, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha humbi jetën si pasojë e drejtpërdrejtë të shpërthimit dhe jo nga flakët e zjarrit.

Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi shkatërrime të konsiderueshme në apartamentin ku ndodhi ngjarja, si dhe dëmtime të rënda në muret, shkallët dhe pjesë të tjera të strukturës së ndërtesës.

Pamjet e krijuara pas shpërthimit dëshmojnë përmasat e mëdha të dëmeve, ndërsa banorët e pallatit dhe familjarët e personave të prekur përjetuan orë ankthi dhe pasigurie gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit.

Gjetja e trupit të pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibra i jep fund pritjes së dhimbshme për fatin e tij, por rëndon edhe më shumë bilancin e një prej ngjarjeve më tragjike të regjistruara në Elbasan.

Ndërkohë, pritet që autoritetet të vijojnë veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të shpërthimit, si dhe të vlerësojnë shkallën e dëmtimeve strukturore të pallatit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb