Dritan Goxhaj dhe Edison Likaj janë shoqëruar në komisariat pasi kanë refuzuar të pranojnë gjobat e vendosura nga Policia e Shtetit, në bazë të aktit të ri normativ për tubimet.
Pas lirimit, aktivisti Dritan Goxhaj ka kundërshtuar masën administrative, duke pretenduar se gjobat janë vendosur në mënyrë të paligjshme, pasi njoftimi për protestën ishte bërë paraprakisht dhe tubimi po zhvillohej brenda orarit dhe vendit të përcaktuar.
Ai pretendon se efektivët i kanë ndaluar në bulevard dhe u kanë kërkuar dokumentet e identifikimit, ndërsa shton se nuk kanë pranuar as të firmosin dhe as të marrin gjobat e komunikuara nga policia.
Në reagimin e tij, Goxhaj ka përdorur tone të ashpra ndaj Policisë së Shtetit, të cilën e ka akuzuar se po vepron me urdhra politikë dhe në shërbim të kryeministrit Edi Rama.
“Është një polici tërësisht mercenare në shërbim të një banditi që është Ed Rama. Jemi në kushtet e një banditizmi të hapur qeveritar”, është shprehur Goxhaj.














