Thoma Mastora është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata e Gjirokastrës, pasi u shpall fajtor për vrasjen e çiftit të moshuar Kosta dhe Kleoniqi Ilia, në fshatin Bodrishtë të Dropullit. Vendimi u shpall këtë të mërkurë, më 4 nëntor 2026.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 maj 2024, kur Kosta dhe Kleoniqi Ilia u gjetën të pajetë në banesën e tyre, me shenja dhune në trup. Mastora u gjykua për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, të parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.
Sipas vendimit të gjykatës, periudha e kaluar në paraburgim do t’i zbritet nga dënimi, ndërsa pjesën e mbetur të tij do ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë.
Gjykata vendosi gjithashtu pushimin e pjesshëm të procedimit për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bazë të ligjit për amnistinë, nr. 57/2026.
Fishekët e sekuestruar në banesat e shtetasit V. I. dhe të Thoma Mastorës do të kalojnë në favor të shtetit, ndërsa shuma monetare e gjetur dhe sekuestruar në banesën e viktimave do t’u kthehet trashëgimtarëve të tyre. Sendet e tjera të sekuestruara, të cilat nuk kanë vlerë, do të asgjësohen.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.


