30 vite burg ka vendosur Gjykata e Gjirokastrës për Thoma Mastorën, 72-vjeçarin i cili vrau Kosta e Kleoniqi Ilian në maj 2024 në Dropull. Dënimi i shpallur përkon edhe me pretencën e prokurorisë.

Sipas vendimit, Mastorës i zbritet periudha e paraburgimit (2 vite) dhe pjesën e mbetur do ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë.

Fishekët e sekuestruar në banesën e tij do t’i kalojnë shtetit, ndërsa paratë (5 milionë lekë) që u gjetën në shtëpinë e viktimave, u kthehen trashëgimtarëve.

Vrasja e të moshuarve 80 dhe 84 vjeç, ndodhi për shkak të një konflikti të çastit që përshkallëzoi deri në përdorimin e sendeve të forta. Pas vrasjes, Mastora u largua nga banesa e viktimave.

Hetimet zbuluan se 72-vjeçari është trajtuar 3 herë në spitalin psikiatrik në Vlorës. Ai është nga Portëza e Fierit dhe i martuar në fshatin Bodrishtë në maj të vitit 1989. 

Me fillimin e ndryshimeve politike Thomai shkoi në Greqi së bashku me gruan, ku mori edhe mbiemrin e saj. Gjithashtu ndryshoi edhe emrin, të cilin më parë e kishte pasur Petrit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë