Politikë

Progres-Raporti i KE për Shqipërinë, reagon PD: Raporti konfirmon dështimet e qeverisë, cenimin e demokracisë dhe të drejtave të opozitës!

Pas publikimit të Progres-Raportit vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar,  duke e cilësuar atë si raportin më negativ në të gjitha vitet e vlerësimit të vendit.

Bardhi ka renditur dhjetë problematika që, sipas tij, evidentohen në dokumentin e Komisionit Europian, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje, korrupsion, kapje të institucioneve dhe cenim të standardeve demokratike.

“Komisioni Europian skanon keqqeverisjen e Edi Ramës, raporti më i zi në të gjitha vitet e vlerësimit”, shprehet Bardhi.

Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, një nga shqetësimet kryesore që ngrihet në raport lidhet me funksionimin e Parlamentit dhe respektimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.

Bardhi pretendon se Komisioni Europian evidenton mosfunksionimin demokratik të Kuvendit, si dhe moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Një tjetër pikë e rëndësishme e reagimit lidhet me korrupsionin, të cilin Bardhi e cilëson si një problem të vazhdueshëm për Shqipërinë. Ai ndalet veçanërisht te çështja e Belinda Ballukut, duke deklaruar se raporti evidenton shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në trajtimin e imunitetit të saj.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat ngre gjithashtu shqetësimin për politizimin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ligjore. Sipas Bardhit, emërimet në këto institucione janë përdorur nga shumica qeverisëse për të forcuar kontrollin politik mbi shtetin.

Ai përmend edhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit vetëm me votat e shumicës, duke argumentuar se është thyer tradita e konsensusit ndërpartiak për këtë institucion.

Kritikat përfshijnë gjithashtu procesin e reformës zgjedhore, të cilën Bardhi e konsideron urgjente përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, si dhe reformën territoriale dhe administrative, që sipas tij po shoqërohet me tendenca ricentralizimi dhe pasiguri për njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Në listën e problematikave përmenden edhe nismat ligjore që, sipas interpretimit të Bardhit, nuk përputhen me legjislacionin dhe standardet europiane, përfshirë ndryshimet në ligjin për portet turistike.

Një tjetër shqetësim lidhet me nevojën për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Bardhi i lidh këto problematika me protestat që po zhvillohen prej muajsh në vend, veçanërisht me mobilizimin e studentëve dhe të rinjve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

“Të gjitha këto janë arsye për të cilat studentët, të rinjtë, qytetarët shqiptarë protestojnë prej ditësh e muajsh tashmë. Këto problematika nuk i zgjidh dot Edi Rama, që është shkaku i tyre. Prandaj zëri i të rinjve duhet të dëgjohet”, deklaron Bardhi.

Në përfundim, kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkon largimin e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila, sipas tij, duhet të garantojë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe përmbushjen e kushteve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Shqipëria ka nevojë për largimin e Edi Ramës, ka nevojë për një qeveri kujdestare që përgatit vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE”, përfundon Bardhi.

Në reagimin e saj PD liston disa gjetje që sipas tyre vërtetojnë dështimet e qeverisë.

Reagimi i PD:

Raporti i Komisionit Europian 2026 për Shqipërinë, në mënyrë të përmbledhur:

Evidenton mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.
Evidenton se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë.
Evidenton shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Evidenton moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

LEXO EDHE: “Një moment krenarie për Shqipërinë”, reagon Rama pas publikimit të raportit të Progresit: Dera e BE e hapur, mundësia e hyrjes më reale se kurrë!

Evidenton nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, që është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Evidenton se reforma territoriale dhe administrative në zhvillim, e shoqëruar me një tendencë drejt ricentralizimit, ka krijuar pasiguri për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Evidenton kapjen e shtetit nga partia në pushtet, përmes politizimit të të gjitha emërimeve në institucionet e pavarura kushtetuese dhe ligjore.
Evidenton se Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e shumicës qeverisëse, duke thyer traditën e konsoliduar të konsensusit ndërpartiak.
Evidenton që Qeveria ka ndërmarrë nisma ligjore që nuk përputhen me acquis-in e BE-së dhe standardet europiane, përfshirë miratimin e një ndryshimi në ligjin për portet turistike.
Evidenton nevojën për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Të gjitha këto janë arsye për të cilat studentët, të rinjtë, qytetarët shqiptarë, protestojnë prej ditësh e muajsh tashme. Këto problematika nuk i zgjidh dot Edi Rama, që është shkaku i tyre. Prandaj zëri i të rinjve duhet të dëgjohet. Shqipëria ka nevojë për largimin e Edi Ramën, ka nevojë për një qeveri kujdestare që përgatit vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE.